Tre shqiptarë ekstradohen nga Serbia, Greqia e Belgjika për pastrim parash, drogë dhe trafik makinash

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 12.07.2025, 15:34

Në kërkim për krime të rënda, u arrestuan në Greqi, Belgjikë e Serbi dhe u ekstraduan në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

Tre shtetas shqiptarë, të kërkuar për vepra të rënda penale, janë ekstraduar drejt Shqipërisë pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar. Operacioni u koordinua nga Interpol Tirana me homologët në Greqi, Belgjikë dhe Serbi.

I pari në listë është Mikel Hoxha, i njohur edhe si Mikel Papa, i cili u ndalua në Greqi. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Beratit me 4 vite burg për pastrim parash. Hoxha kishte investuar në prona dhe transferuar para te të afërmit, të ardhura që sipas autoriteteve ishin përfituar nga shfrytëzimi për prostitucion në Itali, ku është dënuar më parë. Nga dënimi i dhënë, i mbeten për të vuajtur 3 vite e 9 muaj.

Në Belgjikë u kap 40-vjeçari Armando Gropa, i dënuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë me 3 vite e 4 muaj burg. Në vitin 2021, ai kishte kultivuar 140 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në fshatin Grizë, në një sipërfaqe që kishte në pronësi.

Ndërkohë, në Serbi u arrestua Suard Onuzi, për të cilin Gjykata e Kukësit kishte caktuar masën “arrest në burg”. Ai akuzohet për trafikim të mjeteve motorike, pasi kishte transportuar në Shqipëri një automjet të tipit “Mercedes-Benz” të vjedhur në Francë.

Ky rast tregon rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me krimin e organizuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar. Shqipëria, përmes Interpolit, vijon përpjekjet për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që përpiqen të fshihen jashtë vendit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se operacionet për kapjen e të kërkuarve nuk do të ndalen, ndërsa hetimet për rrjetet kriminale që veprojnë në disa shtete janë ende në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit