Rruga me vaj në Borsh dhe Himarë rrezikon jetën e drejtuesve të mjeteve

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 12.07.2025, 15:22

Në segmentin Borsh-Himarë, rruga është e mbuluar me vaj, kthesat janë të rrëshqitshme dhe mungon çdo element sigurie për jetën e qytetarëve

Një qytetar ka ngritur alarmin për një situatë tejet të rrezikshme në rrugën që lidh Himarën me Sarandën, përmes Borshit, një nga segmentet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Sipas denoncimit të tij, rruga është e mbuluar me një shtresë vaji, duke e kthyer çdo kthesë në një kurth për jetën e drejtuesve të mjeteve.

Ai tregon se gjatë udhëtimit i është dashur të sinjalizojë vazhdimisht makinat që vinin përballë, për t’i paralajmëruar të ulnin shpejtësinë dhe të shmangnin ndonjë tragjedi të mundshme.

“Përshëndetje JOQ!"

"Të lutem, shikoje pak rrugën në Himarë, Borsh, kur ikën për në Sarandë dhe kur kthehesh. Është e gjitha me vaj, çdo kthesë ka vaj, rrëshqet makina dhe gjatë gjithë rrugës ka numra celulari për karrotreca, gomisteri dhe servise. Kam ardhur gjithë rrugës duke u luajtur dritat makinave që të ulnin pak shpejtësinë dhe të mos u rrezikohej jeta."

"Është shumë e rrezikshme, sepse po të rrëshqasë makina aty, kushedi ku do përfundojnë të shkretët njerëz, se ato barrierat mbrojtëse jo vetëm që nuk mbrojnë gjë, por janë si plastike. Ecni me kujdes, o njerëz, sepse këtu s’ka siguri!” thotë ai.

Kjo situatë bëhet edhe më alarmante për shkak të mungesës së barrierave mbrojtëse funksionale. Sipas qytetarit, barrierat ekzistuese janë të pafuqishme dhe ngjajnë më shumë me plastikë sesa me struktura mbrojtëse që mund të ndalojnë rënien e mjeteve në terren të thepisur.

“Ecni me kujdes o njerëz, sepse këtu s’ka fare siguri,” është apeli i tij i drejtpërdrejtë për çdo qytetar që kalon në këtë aks rrugor. Ai nënvizon se rreziku është real dhe në çdo kthesë fshihet një fatkeqësi e mundshme, sidomos për ata që nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e rrugës.

Denoncimi është një thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, përpara se kjo rrugë të marrë jetë. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me kujdes ekstrem dhe të mos i besojnë as rregullsisë së rrugës dhe as barrierave mbrojtëse, të cilat janë thuajse inekzistente.

Kjo situatë është një tjetër dëshmi e neglizhencës institucionale dhe mungesës së investimeve në sigurinë rrugore, që mund të ketë pasoja fatale për qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit