Banorët denoncojnë gjendjen e rrugës dhe ndotjen nga ujërat e zeza: jemi në Tiranë, por jetojmë si në fshat, askush nuk kujtohet për ne.
Rreth 20 banorë që jetojnë në zonën pranë restorantit “Dy Luanët” në periferi të Tiranës, kanë ngritur zërin për një situatë të rëndë infrastrukturore dhe higjienike. Prej kohësh, rruga që përshkon këtë zonë është e dëmtuar, duke u kthyer në një rrezik për kalimtarët dhe automjetet, ndërkohë që ujërat e zeza derdhen lirshëm në ambient.
Sipas banorëve, rruga është injoruar nga institucionet për vite me radhë.
"Përshëndetje, doja të ndaja një shqetësim. Jemi rreth 20 banorë këtu në Tiranë dhe shteti as që i bie mendja për ne. Vetëm kur kanë vota vijnë këtu. Po na çohen makinat me këtë rrugë dhe ujërat e zeza i kemi përreth shtëpive. Jemi këtu te restoranti “Dy Luanët”, edhe ai nuk ka futur tuba dhe nuk ka bërë kanalizimet e lokalit. I ka lënë jashtë dhe na mbyt era. Nëse ndodh gjë, gjeni një zgjidhje me ju, sepse kemi shkuar disa herë në bashki dhe askush nuk vjen as ta shohë rrugën."
"Vetëm kur ka zgjedhje vijnë, sa për të marrë vota. Ja kështu na e kanë lënë rrugën. Ju lutemi, shpërndani këtë video, sepse është turp të jesh në Tiranë dhe të kesh rrugët më keq se në fshat. Shpresojmë shumë të na ndihmoni, sepse këtu nuk jetohet më. Jemi sipër Freskut, te restoranti “Dy Luanët”, poshtë lokalit kemi shtëpitë. Jemi 20 banorë dhe askush nuk kujtohet për ne."
"Edhe ky me ujërat e zeza të lokalit, sidomos tani në verë, nuk rrihet në shtëpi. Shpresojmë të na japin një zgjidhje për këtë gjë, sidomos për ujërat e zeza që na kanë vdekur. Edhe makinat na prishen me këtë rrugë. Jemi në Tiranë, dhe ja çfarë lloj zgjidhjeje kemi marrë."
Në qendër të shqetësimit është edhe vetë lokali që, sipas banorëve, nuk ka instaluar asnjë sistem kanalizimi për ujërat e ndotura. Këto derdhen përjashta, duke përkeqësuar kushtet e jetesës, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Përpjekjet për t’u ankuar në institucionet vendore kanë rezultuar të kota. Banorët pohojnë se janë drejtuar disa herë në Bashki, por askush nuk ka marrë masa konkrete.
Situata është bërë aq e rëndë, sa banorët po bëjnë thirrje publike për ndihmë përmes redaksisë së JOQ. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke e cilësuar gjendjen si të papranueshme për një zonë që ndodhet brenda kryeqytetit.
Ata i bëjnë apel institucioneve të mos kujtohen vetëm për vota, por të ndërhyjnë për një zgjidhje të menjëhershme.
Problemet me kanalizimet dhe rruga e dëmtuar nuk janë çështje thjesht komoditeti, por siguri dhe shëndet për komunitetin. Banorët presin zgjidhje konkrete dhe jo më premtime boshe.