Një ndërtim i paligjshëm dhe potencialisht i rrezikshëm po zhvillohet në zonën e Selitës së Vjetër, afër Kopshtit Botanik, ku po ndërtohet një kulla 15-katëshe në një terren kodrinor nga ERE architecture & construction. Sipas një qytetari, banues në këtë zonë, kjo ndërtesë është duke u ngritur mbi themelet e një pallati 5-katësh, pa marrë ende lejen e duhur për këtë lartësi.

I gjithë ky projekt ka sjellë shqetësime të shumta për banorët e zonës, duke përfshirë kaos në trafikun e zonës, ndotje dhe rrezik potencial për jetën e qytetarëve, pasi ndërtimi i një ndërtese të këtij përmasash mbi themele të pamjaftueshme mund të shkaktojë dëme të mëdha. Pavarësisht denoncimeve dhe ankesave, autoritetet nuk kanë ndërmarrë ende asnjë masë.

Denoncimi:
Pershendetje! Si faqia e vetme e halleve te perditshme ku mund te gjehet hera heres zgjidhje thashe te raportoj nje rast abuziv dhe mbi te gjitha nje RREZIK JETE per dhjetra banorë të zonës së Selitës së Vjetër tek Kopshtit Botanik. Ngjitur me zonën ku banoj është duke u bërë çibani i rradhës prej 15 katesh. Në një zonë kodrinore e cila ka disa limite të përcaktuara për lartesinë e ndertimit, është duke u ngritur nje kulle 15 katshe e cila me shume gjasë gjatë rrugës do ti kap edhe 18 kate. Përveç rrëmujës dhe kaosit që do ti sjellë lagjes duke e bërë toksike dhe të pa banueshme, me një trafik të tmerrshëm; ajo që është më shqetësuese është se pallati po ndërtohet në themelet e një 5-katëshi. Leja e parë e dhënë për këtë ndërtim ishte për 5 kate dhe tani në po të njëjtat themele do të bëhet një kullë. Ndërtuesi ende nuk ka leje për një 15-katsh por kjo nuk po e pengon për ti ndritur katet një e nga një sa më shpejt të mundet. Janë bërë edhe denoncimet përkatëse por asnjë nuk e ka vrare mendjen për të investiguar dhe për të marrë masat e duhura sipas ligjeve. Por mesa duket ndonjë i fortë tjetër i rradhës është duke bërë investime strategjike. Do ta vlerësonim shumë sikur ky rast të publikohej pasi jeni e vetmja shpresë që ky çiban të ndalojë së ndërtuari. Në rast se do e publikoni ju lutem anonim pasi personat janë kërcënues.
Ky rast ka krijuar një klimë të pasigurisë për qytetarët, të cilët përballen me kërcënime dhe mungesë mbrojtjeje nga autoritetet kompetente. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe kërkojnë publikimin e këtij problemi në mënyrë që të ndalet ky projekt që kërcënon jetën dhe sigurinë e gjithë zonës.
