Në emër të lojërave për fëmijë, bashkia e Kukësit po shkatërron lulishten historike të qytetit, duke e mbuluar me beton për interesa tenderësh.
Një qytetar nga Kukësi ka ngritur alarmin për shkatërrimin e lulishtes kryesore të qytetit, një hapësirë publike me vlerë historike dhe emocionale për komunitetin. Në kulmin e fushatës propagandistike të qeverisë kundër betonizimit, Bashkia e Kukësit, e drejtuar nga Partia Socialiste, ka nisur të betonizojë këtë hapësirë të gjelbër.
Sipas denoncuesit, ndërhyrja po bëhet me pretekstin e ndërtimit të këndeve të lojërave për fëmijë, por në të vërtetë po përdoret për të justifikuar tenderë të tjerë publikë, me të gjitha pasojat që kjo sjell në një qytet të vogël si Kukësi. Në vend që të rikonceptohet një zonë që respekton natyrën, po zëvendësohen hapësirat me bar dhe pemë me sipërfaqe betoni.
Lulishtja në fjalë nuk është thjesht një zonë pushimi. Ajo ka edhe një vlerë simbolike, pasi është ngritur mbi një vend që dikur u shndërrua në kamp të përkohshëm strehimi për qindra familje kosovare gjatë krizës humanitare të vitit 1999. Ky hapësirë është krijuar falë donacioneve dhe përpjekjeve ndërkombëtare, pikërisht për të mbajtur gjallë kujtesën e asaj periudhe.
Sot, përmes kësaj ndërhyrjeje, kujtesa historike po dhunohet dhe gjelbërimi po zhduket. Qytetari që e denoncoi këtë veprim thekson se projekti i betonimit është në kundërshtim të plotë me deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama, i cili vetë promovon aksione kundër betonit në hapësirat publike.
"Përshendetje JOQ. Jam një banori i qytetit të Kukesit. Në kulmin e luftës antibeton që po promovon kryemnistri i Shqipërisë, bashkia e Kukësit e drejtuar nga partia Socialiste po betonizon lulishten kryesore të qytetit të Kukësit. Kjo behet gjoja në emër të ndërtimit të këndeve të lojrave për fëmijë duke shkatërruar siperfaqe me bar dhe pemë dhe duke i zëvendesuar me beton për të gjetur mënyra për të bërë tendera. Lulishtja në fjalë është kryesorja e Kukesit dhe ka edhe histori."
"Në vendin ku ajo është ndertuar, gjatë krizës së Kosovës të vitit 1999, kanë qenë të strehuar në traktorët e tyre qindra familje nga Kosova ku edhe strehoheshin . Pikërisht për këtë qëllim ky territor u shnderrua në lulishte në kujtim edhe të asaj ngjarje ku kjo lulishte është financuar nga donacione të ndryshme, nderkohë që tani po i vihet kazma barit dhe pemëve duke i zëvendesuar me beton. Ky veprim i ndërmarrë nga bashkia e Kukesit e drejtuar nga socialistët kthen në retorikë politike aksionin e kryeministrit Edi Rama dhe sfidon çdo parim për një qeverisje vendore të përgjegjshme."
Ky paradoks politik tregon qartë se propaganda qendrore nuk ka asnjë reflektim në nivelet lokale të qeverisjes. Bashkia e Kukësit po vepron në mënyrë të kundërt me qëndrimet publike të qeverisë që e drejton. Në vend që të ofrojë shembuj të urbanizimit të qëndrueshëm, ajo po shkatërron pasuritë natyrore të qytetit.
Ky rast nuk është thjesht një debat mbi një lulishte, por një sinjal i qartë për mungesën e transparencës dhe përçmimin që qeverisja vendore ka ndaj trashëgimisë qytetare dhe historisë kolektive të Kukësit. Shkatërrimi i gjelbërimit për qëllime propagandistike e tenderash është një akt që duhet të shqetësojë çdo qytetar të ndershëm.