“Kamioni për pak na vrau” në rrugën Pocem-Memaliaj, shpejtësi tej normave të lejuara

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 12.07.2025, 11:43

Një kamion me shpejtësi të frikshme në aksin Pocem-Memaliaj për pak shkaktoi tragjedi duke terrorizuar një familje që udhëtonte me mjet të vogël.

Një qytetar ka ngritur alarmin pas një ngjarjeje të rëndë që i ka tronditur familjen gjatë ditës së djeshme në rrugën ndërmjet Pocemit dhe Memaliajt. Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ndodhi në një segment rrugor ku shpejtësia e lejuar për mjetet e vogla është vetëm 60 km/h, por një kamion i rëndë, që ai e përshkruan si “kamion kamikaz”, ka kaluar me shpejtësi të tmerrshme pranë makinës së tij familjare.

Qytetari rrëfen se momenti ishte aq traumatizues sa gjithë familja ka përjetuar frikë dhe panik, ndërsa vetë drejtuesi i mjetit është ende nën efektin e tronditjes.

"Përshëndetje, si kaloni?"

"Përshëndetje, dua të bëj një denoncim që ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Poçem-Memaliaj, ku shpejtësia e lejuar për mjetet e vogla ishte 60 km. Ky kamikaz, drejtues kamioni, na ka traumatizuar komplet familjen."

"Jam në pritje të një reagimi tuaj, pasi jeni faqja që bëni mrekulli në parregullsitë ndaj rregullave të qarkullimit rrugor."

Ai i ka drejtuar një apel faqes tonë për denoncimet publike, duke shpresuar se ngjarje të tilla nuk do të kalojnë në heshtje dhe se reagimi publik mund të ndihmojë në ndëshkimin e drejtuesve të papërgjegjshëm që sfidojnë rregullat e qarkullimit.

Sipas tij, ky nuk është një rast i izoluar dhe apelon për më shumë kontrolle nga autoritetet përgjegjëse në këtë segment rrugor, ku shpejtësia shpesh tejkalohet dhe standardet e sigurisë rrugore duken inekzistente.

Qytetari thekson se për fat të mirë nuk pati viktima, por stresi dhe pasiguria kanë lënë gjurmë te fëmijët dhe të rriturit në automjet. Ai kërkon që ky incident të mos kalojë si një statistikë e zakonshme, por të shërbejë si thirrje për ndërhyrje.

Në fund të denoncimit, ai shpreh besimin se platforma e JOQ ku është drejtuar do ta publikojë këtë ngjarje dhe do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe autoriteteve për rrezikun që paraqesin drejtuesit e pakujdesshëm në rrugët tona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit