Banorët e Margegajt në Tropojë denoncojnë gjendjen skandaloze të varrezave dhe neglizhencën e Kryetarit Rexh Byberi, që u tha: “Veproni vetë”.
Banorët e Margegajt në Tropojë kanë ngritur zërin për një situatë alarmante që po përkeqësohet dita-ditës: varrezat në këtë zonë ndodhen në një gjendje të turpshme, të braktisura dhe të mbuluara nga barishtet dhe plehrat.
Në një video të shpërndarë përmes JOQ, qytetarët shprehen të dëshpëruar dhe të revoltuar, duke treguar se kanë bërë disa herë ankesa në Bashkinë e Bajram Currit. Megjithatë, përgjigja e vetme që kanë marrë nga kryetari i bashkisë, Rexh Byberi, ka qenë e habitshme dhe fyese: “Veproni vetë”.
Kjo përgjigje ka tronditur komunitetin, i cili tashmë ndjen se është lënë në mëshirë të fatit. Banorët e quajnë këtë qëndrim një akt të papërgjegjshëm dhe dëshmi të qartë të braktisjes nga pushteti lokal, i cili nuk po përmbush as detyrat më minimale të shërbimeve publike.
Pamjet e bëra publike tregojnë një ambient të degraduar, ku nuk ka asnjë kujdes institucional për të ndjerët. Mungesa e respektit për të vdekurit është kthyer në simbol të shpërfilljes për të gjallët.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve që të mos fshihen më pas justifikimeve dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për sistemimin dhe pastrimin e varrezave. Ata shpresojnë se përmes denoncimit publik, dikush do të marrë përgjegjësi dhe do të veprojë me seriozitet.
“Përshëndetje JOQ! Ju lutem, publikojeni këtë video, pasi në Margegaj të qytetit të Tropojës, varrezat janë në gjendje të mjerueshme. Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Rexh Byberi, nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht ankesave të bëra, dhe përgjigjja që kemi marrë ka qenë: "Veproni vetë." Ju lutem, postojeni, pasi tek ju kemi shpresat, sepse janë në gjendje të mjerueshme,” shprehet qytetari i cili denoncon i revoltuar.
Në mungesë të zgjidhjeve nga autoritetet, qytetarët i drejtohen redaksisë së JOQ si e vetmja mënyrë për të bërë zërin e tyre të dëgjuar.
Në fund, komuniteti i Margegajt kërkon jo vetëm respekt për të vdekurit, por edhe rikthimin e dinjitetit të një shërbimi publik që bashkia ka për detyrë të garantojë.