Një trafikant shqiptar kokaine ka rrëfyer në gjykatë se i paguante një prokuror gjerman për informacione, duke tronditur sistemin gjyqësor në Hannover.
Një proces gjyqësor i ndezur në Gjermani ka hedhur dritë mbi një skandal që përfshin drejtësinë gjermane dhe krimin e organizuar shqiptar. Në qendër të akuzave ndodhet Besim M., një trafikant shqiptar kokaine, i cili deklaroi para Gjykatës së Qarkut në Hanover se kishte paguar një prokuror për të marrë informacione konfidenciale.
Besim M., 41 vjeç, i dënuar në tetor 2024 me gjashtë vite burg për trafik droge, pretendon se kishte vendosur kontakte të drejtpërdrejta me prokurorin Yashar G., tashmë nën hetim për marrje ryshfeti dhe bashkëpunim me një sindikatë të fuqishme droge. Sipas rrëfimit të tij, marrëdhënia kishte nisur në vitin 2019, gjatë një takimi në një restorant grek në Hannover.
Sipas trafikantit, në atë kohë nuk e kishte njohur funksionin e prokurorit, por disa kohë më pas kishte kuptuar se po bashkëpunonte me një zyrtar të lartë të drejtësisë. “Ai më tha se ishte prokuror dhe e paguanin për t’i dhënë informacione një grupi trafikantësh,” dëshmoi Besim M. përpara trupës gjykuese.
Ai shtoi se i jepte 5.000 euro në muaj për të marrë të dhëna të brendshme që më pas ia transmetonte një figure tjetër të krimit, të identifikuar si Konstantinos S. Ky i fundit është arratisur në Dubai përpara arrestimit dhe besohet të ketë luajtur rol kyç në trafikun e 16 tonëve kokainë nga porti i Hamburgut.
Prokurori Yashar G., i cili ishte hetuesi kryesor në rastin e kësaj tentative për kontrabandë, dyshohet se në vend që të luftonte krimin, e ushqente atë me informacione sekrete në këmbim të parave të pista. Ky dyshim ka shkundur besimin në organet gjermane të drejtësisë.
Për të shmangur zbulimin në komunikimet e kriptuara të platformës Sky ECC, grupi përdorte emrin kod “Cop” kur i referohej prokurorit, duke e paraqitur atë si një “polic” dhe jo si bashkëpunëtor të sistemit të drejtësisë. Ky kod e ndihmoi grupin të vepronte për një kohë të gjatë pa u kapur.
Ky skandal rrezikon jo vetëm të përmbysë çështje të mëparshme gjyqësore ku ka qenë i përfshirë prokurori, por gjithashtu ka vënë në dyshim integritetin e strukturave ligjzbatuese në Gjermani. Rrjeti i korrupsionit që u shpalos përmes kësaj dëshmie hedh një hije të rëndë mbi besueshmërinë e sistemit.