Zyrat e këmbimit valutor janë kthyer në një hallkë të errët që lehtëson abuzimet me kursin dhe pastrimin e parave në dëm të qytetarëve.
Brenda sistemit financiar shqiptar, zyrat e këmbimit valutor vazhdojnë të funksionojnë si një terren i paprekur nga kontrolli real dhe ligjshmëria. Në emër të shërbimit publik, ato kanë degraduar në instrumente spekulimi, ku qytetarët humbasin përditë para, ndërsa mekanizmat mbikëqyrës shpesh duken të pafuqishëm ose indiferentë.
Për të frenuar këtë fenomen, Banka e Shqipërisë ka hartuar një projektrregullore të re, me qëllimin për të ashpërsuar kriteret e licencimit dhe mbikëqyrjes së këtyre zyrave. Pjesë e ndryshimeve janë kërkesat për reputacion të mirë, kufizimi i veprimeve në para fizike dhe rritja e kapitalit minimal për licencim. Në teori, këto masa synojnë të godasin rrënjët e informalitetit dhe të pastrojnë sistemin nga subjektet abuzive.
Por a është kjo një përpjekje serioze apo thjesht një manovër kozmetike për të plotësuar rekomandimet e MONEYVAL? Faktet tregojnë se prej vitesh, zyrat e këmbimit kanë funksionuar si kanale informale për pastrimin e parave, me ndihmën e pronarëve që shpesh fshihen pas “aksionarëve të besuar”, larg syve të publikut dhe ligjit.
Sipas të dhënave zyrtare, Banka e Shqipërisë ka revokuar gjatë vitit 2025 licencat e 45 zyrave, duke e çuar numrin e total të mbylljeve në rritje alarmante. Përkundër kësaj, më shumë se 640 zyra të tilla vijojnë të operojnë në vend, shumë prej tyre në zona ku mungon çdo formë tjetër e shërbimit financiar, duke shfrytëzuar varfërinë dhe mungesën e alternativave për përfitime të pamerituara.
Në këtë mes, nuk mungojnë as dënimet formale: gjoba deri në 1 milion lekë për subjektet që nuk plotësojnë standardet bazë të transparencës dhe ligjshmërisë. Por masat mbeten të rralla dhe kryesisht reaktive, ndërkohë që abuzimet janë të përditshme: manipulim i kursit, moslëshim fature, mosidentifikim klientësh, veprime cash përtej limiteve ligjore.
Agjencia e Inteligjencës Financiare ka zbuluar vetëm 19 transaksione të dyshimta të raportuara nga Zyrat e Këmbimit Valutor në 2024. Një numër qesharak, që vetëm konfirmon faktin se këto zyra janë strumbullar i informalitetit financiar. Për krahasim, bankat raportuan 718 raste të tilla në të njëjtin vit, shoqëritë e transfertave 365 dhe noterët 413.
Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur pronarët e këtyre zyrave janë dënuar ose janë nën hetim për krime financiare, por ende operojnë përmes individëve të tjerë që “mbajnë emrin” e zyrës në letër. Sistemi i verifikimit të pronarëve përfitues vazhdon të jetë i çalë, dhe vetë termi “reputacion i mirë” duket më shumë si një formulë e zbrazët se sa një filtër real.
Projektligji i ri, megjithatë, sjell disa ndryshime të rëndësishme: dyfishimin e kapitalit minimal (nga 2.5 në 5 milionë lekë), ndalimin e transaksioneve mbi 1 milion lekë në cash, si dhe vendosjen e komisioneve të reja dhe rritjen e gjobave. Megjithatë, në mungesë të një vullneti real për zbatim, këto masa rrezikojnë të mbeten thjesht në letër.
Edhe më problematike është përqendrimi i këtyre zyrave në zonat urbane – vetëm në qarkun e Tiranës ndodhen gati gjysma e tyre. Ndërkohë, zonat rurale ku mungojnë bankat, mbeten pa asnjë shërbim të rregulluar. Banka e Shqipërisë paralajmëron mundësinë e kufizimit të licencave të reja, por vetëm nëse analiza e tregut e justifikon një hap të tillë.
Në raportin e fundit të MONEYVAL, Shqipëria u vlerësua pozitivisht për daljen nga “lista gri”, por pjesa më e madhe e rekomandimeve lidhen ende me transparencën në sektorin informal – dhe zyrat e këmbimit valutor janë një ndër hallkat më të errëta të këtij segmenti.
Nëse nuk merren masa serioze, përfshirë kontroll më të rreptë dhe mbyllje të zyrave që abuzojnë me klientët, sistemi i këmbimit valutor do të mbetet një derë e hapur për informalitetin dhe pastrimin e parave në vend. Dhe për çdo ditë që institucionet vonohen, qytetarët janë ata që humbasin.