Një raport paraprak për aksidentin ajror të muajit të kaluar të kompanisë Air India, që la të paktën 270 viktima, tregon se furnizimi me karburant për motorët e avionit u ndërpre vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista.
Sipas raportit, menjëherë pas ngritjes, çelësat e ndërprerjes së karburantit për të dy motorët kaluan nga pozicioni “RUN” (aktiv) në pozicionin “CUTOFF” (i ndërprerë) njëri pas tjetrit brenda një sekonde duke bllokuar furnizimin me karburant për të dy motorët.
Në regjistrimin e zërit nga kabina, njëri prej pilotëve dëgjohet duke pyetur tjetrin: “Pse e preke çelësin e ndërprerjes?”
Raporti thekson se piloti tjetër u përgjigj se nuk e kishte prekur ai.
Rreth 10 sekonda më vonë, furnizimi me karburant u rivendos dhe nisi procedura automatike e rinisjes së motorëve, por nuk pati mjaftueshëm kohë për të shmangur përplasjen.
Sipas raportit, rreth 20 sekonda pasi u aktivizua “CUTOFF”, një nga pilotët dha alarmin: “MAYDAY, MAYDAY, MAYDAY”. Regjistruesi i të dhënave u fik disa sekonda më pas.
Fluturimi i Air India mbante në bord 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit dhe ishte nisur drejt Mbretërisë së Bashkuar, kur u përplas me një ndërtesë pak pas ngritjes më 12 qershor, duke lënë të vdekur të gjithë personat në bord (përveç një të mbijetuari), si dhe disa njerëz që ndodheshin në tokë, sipas autoriteteve.