Humbja e jetës së kapitenit Arben Anamali në liqenin e Shkodrës ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Gjestin e tij heroik, kur sakrifikoi veten për të shpëtuar dy turistë izraelitë nga mbytja, e ka pasqyruar së fundmi edhe “The Jerusalem Post”.
Në artikullin e saj, gazeta izraelite thekson se Anamali ishte kapiten i një anijeje turistike që operonte në qytetin verior të Shkodrës dhe kishte dalë në liqen me një grup turistësh, mes të cilëve ndodheshin edhe shtatë shtetas izraelitë.
“Trupi i pajetë i shtetasit shqiptar Arben Anamali u gjet në Liqenin e Shkodrës të enjten në mëngjes, pasi u zhduk gjatë shpëtimit të dy turistëve izraelitë për shkak të rrymave të liqenit në fillim të kësaj jave, sipas mediave lokale.
Jelekët e shpëtimit, përfshirë edhe atë të Anamalit, iu hodhën të dyve, por pa sukses.
Në përpjekje për t’i shpëtuar, kapiteni vendosi të hidhej vetë në ujë dhe arriti t’i ndihmonte të ngjiteshin përsëri në anije, por u zhduk menjëherë më pas nën sipërfaqe. Trupi i tij u gjet pas gati 48 orësh kërkimesh intensive.
Besohet se Anamali pësoi një arrest kardiak si pasojë e lodhjes fizike dhe përpjekjeve ekstreme pas shpëtimit. Trupi i tij u transferua në spitalin rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme.
Arben Anamali lë pas dy fëmijë. Në shenjë mirënjohjeje për veprën e tij, qeveria shqiptare e ka nderuar me titullin e lartë “Martir i Kombit”, një nga vlerësimet më të mëdha që i jepet atyre që sakrifikojnë jetën në shërbim të të tjerëve.
Një ceremoni zyrtare përkujtimore pritet të mbahet në ditët në vijim,” përmbyll artikulli i “The Jerusalem Post”.