I riu në Sarandë si në GTA, del nga makina me çantë në dorë dhe hidhet në det t’i shpëtojë policisë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 11.07.2025, 23:01

Një ndjekje spektakolare si në lojën popullore GTA është zhvilluar mbrëmjen e sotme në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku një i ri tentoi t’i shpëtonte forcave të rendit duke u hedhur në det.

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të pranishëm në zonën bregdetare, për shkak të skenës që i përngjante një filmi aksion.

Sipas informacioneve paraprake, policia ndaloi një automjet luksoz në të cilin ndodheshin tre persona. Në momentin që efektivët ndërhynë për kontroll, një nga pasagjerët doli me shpejtësi nga makina, vrapoi drejt detit dhe u hodh në ujërat e Jonit, në përpjekje për të humbur gjurmët.

I dyshuari mbante një çantë me vete, e cila ka ngritur dyshime për sende të paligjshme. Dyshohet se gjatë notimit mund të ketë hedhur çantën në det, ndërsa dy personat e tjerë në makinë u ndaluan nga forcat “Shqiponja” dhe u shoqëruan në komisariat.

Forca të shumta policore u vendosën përgjatë shëtitores për të ndjekur lëvizjet e të arratisurit në ujë. Pak minuta më pas, ndërhyrja e një skafi të policisë kufitare bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e tij në det.

Autoritetet pritet të dalin me një deklaratë zyrtare për të sqaruar motivet e ndjekjes si dhe përmbajtjen e çantës që mbante i riu gjatë arratisjes së pazakontë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit