Më shumë se 200 fëmijë parashkollorë rezultuan me helmim nga plumbi pasi në një kopsht në Kinë u përdor bojë për të ngjyrosur ushqimin e tyre.
Një skandal i ri tronditi opinionin publik në Kinë, pasi autoritetet konfirmuan se mbi 200 fëmijë në një kopsht privat në veriperëndim të vendit janë ekspozuar ndaj niveleve të larta të plumbit në gjak. Shkak për këtë u bë përdorimi i bojës industriale në ushqim nga stafi i kuzhinës së institucionit.
Të paktën tetë persona janë arrestuar deri tani, përfshirë drejtorin e kopshtit privat "Heshi Peixin" dhe një investitor të tij. Sipas raportit zyrtar të publikuar nga autoritetet e qytetit Tianshui, ata kishin urdhëruar përdorimin e pigmenteve të bojës për të bërë ushqimin më tërheqës për fëmijët, me qëllim rritjen e regjistrimeve dhe përfitimeve financiare.
Nga 251 fëmijë të regjistruar, 233 rezultuan me nivele jonormale të plumbit në gjak. Autoritetet njoftuan se 201 prej tyre janë aktualisht nën trajtim mjekësor në spital, ndërsa vlerësimet për dëmet afatgjata në zhvillimin e tyre ende nuk janë publikuar.
Analizat kanë zbuluar se ushqimet si ëmbëlsira me hurma dhe role me misër kishin përqendrime të plumbit mbi 2000 herë më shumë se norma e lejuar kombëtare. Boja e përdorur, e cila u sekuestrua nga autoritetet, mbante shënimin e qartë “jo e ngrënshme”.
Shumë prindër nuk i besuan analizave të kryera në kopsht dhe i çuan vetë fëmijët në qytetin Xi’an për ekzaminime të pavarura. Rezultatet treguan se dhjetëra fëmijë kishin kaluar kufirin e helmimit nga plumbi, me disa raste që i kalonin 450 mikrogramë për litër, një nivel që konsiderohet “i rëndë” nga autoritetet shëndetësore kineze.
Një nënë tregoi për mediat shtetërore se vajza e saj kishte pasur dhimbje barku të vazhdueshme dhe ndryshime në sjellje për gjashtë muaj me radhë, por askush nuk kishte marrë masa. Ajo tha se nuk kërkon dëmshpërblim, por vetëm shëndetin e vajzës së saj.
Ndërkohë, reagimet në rrjetet sociale në Kinë kanë qenë të ashpra. Qytetarët kërkojnë ndëshkime të rënda dhe masa të menjëhershme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Kjo ngjarje ka rikthyer kujtesën për skandalin e qumështit me melaminë në vitin 2008, kur vdiqën gjashtë foshnje dhe u helmuan mbi 300 mijë të tjera.
Kryetari i bashkisë së Tianshui premtoi mbështetje maksimale për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve dhe paralajmëroi përmirësime në mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në qytet. Por prindërit vazhdojnë të kërkojnë transparencë të plotë dhe hetim të thelluar.
Ekspertët theksojnë se ky rast tregon dështimin e sistemit të kontrollit ushqimor dhe rrezikun e një krize të besimit publik. Sipas tyre, nevojiten hetime më të hapura dhe ndëshkime shembullore për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin shëndetësor dhe ushqimor të vendit.