Konsumatorët në alarm, frutat dhe perimet mbartin rrezik të lartë nga pesticidet

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 22:49

Shumë prej frutave dhe perimeve që konsumojmë çdo ditë përmbajnë nivele alarmante pesticidesh dhe rrezikojnë seriozisht shëndetin tonë.

Ndërkohë që frutat dhe perimet konsiderohen themel i një diete të shëndetshme, një pjesë e madhe e tyre mbart mbetje kimikatesh që dëmtojnë organizmin. Përdorimi i pesticideve në bujqësinë konvencionale është aq i përhapur, saqë shmangia e tyre duket thuajse e pamundur për konsumatorët e zakonshëm.

Nëse nuk keni mundësi të kultivoni vetë ushqimin tuaj apo të blini produkte të certifikuara organike — të cilat shpesh janë të shtrenjta dhe jo gjithmonë të disponueshme — rreziku që merrni duke konsumuar fruta dhe perime të zakonshme është real.

Sipas raportit më të fundit të vitit 2025 nga Grupi Punues Mjedisor (EWG), mbi 95% e mostrave të disa produkteve të caktuara kishin mbetje pesticidesh. Në krahasim, vetëm 75% e produkteve të tjera kishin përqindje më të ulët, por sërish të rrezikshme.

Lista e frutave dhe perimeve më të kontaminuara me pesticide përfshin: luleshtrydhet, spinaqin, lakrën jeshile, rrushin, pjeshkët, dardhat, nektarinat, mollët, specat djegës, qershitë, boronicat dhe fasulet jeshile.

Ekspertët këshillojnë që, kurdoherë që është e mundur, të blihen produkte nga fermerë vendas të besuar, të cilët përdorin më pak kimikate. Produktet organike janë gjithashtu një alternativë më e sigurt, edhe pse jo gjithmonë e përballueshme për të gjithë.

Në mungesë të këtyre opsioneve, është thelbësore që frutat dhe perimet të lahen me kujdes. Larja me ujë dhe sodë buke mund të reduktojë ndjeshëm mbetjet e pesticideve në sipërfaqe.

Megjithëse janë burim i domosdoshëm ushqyesish, frutat dhe perimet kërkojnë kujdes të shtuar gjatë përgatitjes. Konsumatorët duhet të jenë të informuar dhe vigjilentë për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit