Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një ndryshim të papritur në politikën e SHBA-së ndaj Ukrainës. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë me armë Ukrainën përmes NATO-s, ndërsa paralajmëroi një deklaratë të rëndësishme për Rusinë ditën e hënë.
"Do të bëj një deklaratë të madhe për Rusinë të hënën," – tha Trump për NBC News, pa dhënë më shumë detaje.
Sipas tij, armët amerikane do të kalojnë përmes NATO-s, e cila do të paguajë 100% të kostos. "Po dërgojmë armë për NATO-n dhe NATO do të rimbursojë të gjithë koston," u shpreh ai.
Burime të afërta me administratën Trump thonë se, për herë të parë që nga rikthimi në pushtet, ai do të përdorë Presidential Drawdown Authority, një mekanizëm që i lejon presidentit të marrë armë nga depot ushtarake amerikane për emergjenca dhe t’ia japë një aleati si Ukraina. Paketa e parë mund të kapë vlerën e rreth 300 milionë dollarëve.
Në këtë paketë pritet të përfshihen raketa mbrojtëse Patriot dhe raketa sulmuese me rreze të mesme, por ende nuk është marrë vendimi përfundimtar.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj Ukrainës. Vetëm të enjten, Rusia lëshoi 400 dronë dhe 18 raketa, duke shkaktuar 2 të vdekur dhe 26 të plagosur, si dhe shkatërrime masive në qytete të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Kiev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë një konference për rindërtimin e Ukrainës në Romë, kërkoi më shumë investime, ndihma dhe bashkëprodhim ushtarak nga aleatët, ndërsa bëri thirrje që asetet ruse të përdoren për të financuar rindërtimin e vendit.
Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Malajzi, ku kërkoi një rrugëdalje të qartë për përfundimin e konfliktit dhe paralajmëroi sanksione të reja ndaj Rusisë.
Pavarësisht qëndrimeve shpesh kontradiktore ndaj luftës, Trump duket se po bën një hap të qartë në drejtim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Megjithatë, shumë pyesin nëse ky ndryshim vjen si pasojë e presionit ndërkombëtar apo si pjesë e një strategjie më të gjerë për të zbutur kritikat për afërsinë e tij me Moskën.