SPAK-u ka goditur një rrjet ndërkombëtar droge që trafikonte tonelata kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, përmes Shqipërisë.
Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i koordinuar nga SPAK-u dhe i ndihmuar nga Europol-i dhe Policia e Shtetit, ka shënuar një tjetër goditje ndaj grupeve kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës. Janë arrestuar 7 persona nga një grup prej 13 të hetuarish, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni u zhvillua në disa qarqe të vendit: Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë, ku janë sekuestruar sasi të mëdha lëndësh narkotike dhe pasuri të ndryshme materiale. Në total janë dokumentuar të paktën 7 episode trafiku droge drejt vendeve të BE-së, të realizuara gjatë viteve 2020-2021, përmes një skeme të sofistikuar që u zbulua falë dekodimit të platformave të enkriptuara SKY ECC-së dhe Encrochat-it.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi i strukturuar kriminal akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës, heroinës dhe kanabisit, si dhe për ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Në total janë sekuestruar 3.585 kg kokainë, 701 kg kanabis dhe 4.2 kg heroinë.
Nga hetimet rezulton se pjesëtarët e këtij rrjeti komunikonin përmes aplikacioneve të enkriptuara, duke planifikuar dhe organizuar transportin e drogës dhe pagesat për ndikim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Disa prej tyre dyshohet se kanë paguar deri në 7.500 euro për të ndikuar tek funksionarë të lartë për lehtësim masash sigurie.
SPAK ka zbuluar gjithashtu se një nga të arrestuarit, E. D., ka shërbyer si Shef i Policisë Kriminale dhe Zëvendësshef në një komisariat në Tiranë. Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke i dhënë informacione të klasifikuara njërit prej të hetuarve, përmes sistemit TIMS.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar: pesë automjete luksoze të markave Maserati, Porsche, Audi dhe Honda; afro 39 mijë euro cash; armë, fishekë, telefona të enkriptuar, një armë sportive dhe sasi të dyshuara kokainë. U arrestua edhe një tjetër shtetas, R. U., në flagrancë për mbajtje të armëve pa leje.
SPAK-u ka kërkuar dhe ka marrë leje nga Gjykata e Posaçme për kryerjen e 12 kontrolleve në banesa, automjete dhe persona. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
Aktualisht, hetimet vazhdojnë për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar droge, që kishte vendosur një linjë të rrezikshme mes Amerikës së Jugut dhe Europës, me Shqipërinë si pikë strategjike kalimi dhe shpërndarjeje.