Një situatë tepër shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar i lagjes nr. 1 në Kamëz, i cili denoncon një ndërtim të paligjshëm pranë banesës së tij.
Ai shprehet se i është drejtuar të gjitha institucioneve përkatëse, por pa asnjë rezultat konkret. Heshtja e Bashkisë, IMT-së, Policisë dhe strukturave të tjera po e çon një problem të qartë në rrugën e konfliktit.
Sipas denoncuesit, komshiu ka ngritur një kat të plotë ndërtimi pa leje, përfshirë edhe shkallë ngjitur me dritaren e banesës së tij, duke i cenuar rëndë privatësinë familjare dhe duke mos respektuar asnjë distancë ligjore ndërtimi.
Ai e cilëson këtë si një ndërhyrje flagrante dhe sfiduese që, sipas tij, është realizuar me dokumente fallco, të cilat janë tashmë në dispozicion të redaksisë JOQ Albania.
"E kemi denoncuar në çdo institucion, si Bashkia Kamëz, IMT, Policia e Kamzës, IKMT Tiranë dhe Platforma 'Shqipëria që Duam'. Asnjë reagim. Vetëm na sorollatin dhe shtyjnë ditët", thotë qytetari.
Në materialet e siguruara nga redaksia, shihet qartë se punimet e paligjshme vazhdojnë lirshëm dhe ndërtuesi nuk shqetësohet aspak për ligjin apo pasojat ndaj fqinjëve. Sipas banorit, kjo situatë është kthyer në një burim stresi dhe tensioni të përditshëm për familjen, ndërsa institucionet zgjedhin të mbyllin sytë.
“Po të mos ishte për media si ju, që i jepni zë halleve të njerëzve të thjeshtë, askush s’do na dëgjonte. Shpresoj që këtë herë të ketë një reagim, përpara se situata të përshkallëzohet në konflikt më të madh”, shprehet ai për JOQ Albania.
JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Kamëz, Policisë së Shtetit dhe IMT-së që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur këtë ndërtim të paligjshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe siguri në banesën e tyre.