Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës vazhdon të përhapet pa kontroll ndërsa era dhe relievi i thyer e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve në disa zona.
Prej disa ditësh, një vatër aktive zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në Parkun Kombëtar të Lurës, duke shndërruar zonën në një vullkan të hapur. Era e fortë dhe terreni i thyer po e pengojnë seriozisht operacionin për shuarjen e flakëve.
Burime nga terreni bëjnë me dije se flakët janë përhapur në një zonë të vështirë me bimësi të rrallë, ku përfshihen ahu, pisha dhe barishte të thata, të cilat nxisin përhapjen e shpejtë të zjarrit. Deri tani nuk ka një shifër të saktë për sipërfaqen e djegur, por raportimet paraprake flasin për disa hektarë të shkrumbuar.
Në përpjekje për të izoluar zjarrin, janë angazhuar 6 forca të zjarrfikëses, 16 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, punonjës të njësisë administrative Lurë, 12 vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Megjithatë, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
Në vendngjarje, punimet vazhdojnë me ritme intensive, por ndërhyrja është jashtëzakonisht e vështirë. Flakët vijojnë të favorizohen nga erërat e forta dhe terreni i thyer që pengon hyrjen e mjeteve zjarrfikëse dhe manovrimin e ekipeve të angazhuara.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një afat për vendosjen nën kontroll të zjarrit, ndërsa shqetësimi rritet edhe për ndikimin ekologjik në këtë park të mbrojtur kombëtar. Të vetmet përpjekje deri më tani janë ato në terren, pa ndihmë nga ajri.
Situata po trajtohet si një emergjencë serioze, ndërsa çdo orë që kalon pa ndërhyrje të efektshme, shton rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe humbjen e pasurisë natyrore të Parkut të Lurës.