Skandal në Uzinën e Ferrokromit në Burrel: Kushte çnjerëzore, po na ushqejnë me “mbeturina”!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.07.2025, 18:25

Një denoncim tronditës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës i Uzinës së Ferrokromit në Burrel, e cila menaxhohet nga kompania turke Yilmaden Holding, përmes firmës Albchrome.

Sipas denoncuesit, punonjësit, që kryejnë një nga profesionet më të rënda dhe më të rrezikshme në Shqipëri, po trajtohen në mënyrë çnjerëzore kur vjen puna te ushqimi i përditshëm në mensën e uzinës. Një vit më parë u premtua se punonjësit do të përfitonin një vakt falas çdo ditë, por ajo çfarë ofrohet sot, sipas tyre, është "skandaloze".

Në fotot që ka siguruar redaksia jonë, shihet qartë cilësia e mjerueshme e ushqimit. Por përveç ushqimit të keq, akuzat janë edhe më të rënda.

Denoncuesi shprehet se nuk ka as kuzhinier në mensë dhe se aktualisht ushqimi përgatitet nga pastrueset, pasi kuzhinieri i mëparshëm është larguar nga puna pasi refuzoi të bashkëpunonte me përdorimin e produkteve të skaduara dhe me higjienën skandaloze.

"Gjellët mbahen në frigorifer për 2 deri në 3 ditë, pa asnjë kontroll ushqimor. Mjediset e mensës janë jashtë funksioni, me erë të padurueshme, ku mbetjet dhe pluhuri janë kudo", shprehet ai ndër të tjera.

Më tej, qytetari pretendon se ushqimi vazhdonte të servirej me mish pule edhe kur ishte ndaluar me urdhër të autoriteteve, duke vënë në rrezik shëndetin e punëtorëve.

Tenderi për menaxhimin e mensës është fituar nga kompania Bonnie, në pronësi të një shtetasi me emrin Xhek Nasufi, për të cilin pretendohet se nuk merr parasysh asnjë shqetësim të punonjësve, duke gëzuar mbështetjen e drejtorit të uzinës, Ervin Isai.

Në një dokument të siguruar nga JOQ Albania, që është pjesë e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të datës 29 korrik 2024, renditen një sërë shqetësimesh alarmante për kushtet e punës: mungesë maskash mbrojtëse, mungesë syzesh, dorezash, rrobash pune, ujë për larje, dhe mosfunksionimi i mensës dhe mungesa e stafit të kuzhinës.

Në dokument theksohet se që nga data 30.07.2024, mensa duhet të funksionojë nën drejtimin e një shefi kuzhine dhe me stafin përkatës. Por realiteti në terren, sipas punonjësve, është krejt ndryshe.

"Nuk kemi mundësi ta bojkotojmë mensën nga frika se do të na heqin nga puna" – thotë punonjësi për JOQ Albania. Ai shton se edhe pas qindra ankesave të bëra, situata nuk ka ndryshuar dhe drejtorisë i intereson më shumë mbulimi i skandaleve sesa mbrojtja e punëtorëve.

Ky është një alarm që nuk mund të neglizhohet më. JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve si AKU, Inspektoratit të Punës dhe institucioneve vendore në Burrel të marrin masa urgjente për të hetuar këtë rast skandaloz dhe për të siguruar kushtet minimale të dinjitetit për punëtorët e kësaj uzine.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit