Plagosja e vëllezërve Nexhipi nga 4 policët, familjarët skeptikë me drejtësinë e Prokurorisë së Sarandës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.07.2025, 17:03

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të datës 1 janar 2025 në fshatin Gjashtë të Sarandës, vetëm 20 metra larg banesës së një familjeje që denoncon se është sulmuar me armë zjarri në drejtim të vëllezerve Nexhipi ku vëllezrit Nexhipi kanë mbetur të plagosur nga një grup prej të paktën 12 personash, ku katër prej tyre ishin efektivë të Policisë së Shtetit. Një e afërme e thotë për JOQ se konflikti ka nisur për një automjet të dhënë me qira nga familja në fjalë, që nuk është kthyer dhe as është paguar nga pala tjetër, e cila përfaqësohej nga të afërm të vëllezërve Sulejmani. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 të mesnatës, dhe sipas familjarëve, ata kanë në dispozicion pamje filmike që tregojnë qartë se efektivi Inklid Sulejmani ka qëlluar me armë disa herë në drejtim të shtëpisë dhe në ajër.

Në kallëzimin e bërë, familjarët pretendojnë se Sulejmani, pasi i kanë mbaruar fishekët, ka tentuar të marrë armën e një kolegu tjetër polic që ishte në detyrë. Ata theksojnë gjithashtu se, ndonëse në fillim çështja u ndoq nga prokurorja Silvana Beçishti, një numër i madh personash të përfshirë u lanë të lirë që në seancën e parë të masës së sigurisë, mes tyre edhe efektivë të policisë dhe ish-punonjës të dënuar më parë për trafik droge. Përveç Inklid Sulejmanit, të përfshirë janë edhe Mihal Sulejmani, Shemo Sulejmani, Ergis Sulejmani, Igli Duka, Beqir Cocka, Delars Duka dhe të tjerë.

Pas denoncimeve të bëra nga familjarët për lidhje të mundshme familjare mes prokurores Beçishti dhe personave të përfshirë, u vendos të ndryshohej prokurorja dhe çështjen e mori në dorë Hava Memko. Por, sipas familjarëve, situata jo vetëm që nuk u përmirësua, por u përkeqësua edhe më shumë. Ata theksojnë se prokurorja Memko ka lejuar përfundimin e afateve të hetimeve pa kërkuar zgjatje, duke çuar në lirimin e personave që akuzohen për të paktën tetë vepra penale të rënda, përfshirë përdorimin e armës së shtetit ndaj civilëve në ambientet e shtëpisë së tyre.

Familja denoncuese thekson se deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet, përfshirë ILD dhe KLP, ndonëse ka dorëzuar prova dhe pamje filmike. Ata kërkojnë që prokurorja të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e saj dhe që çështja të trajtohet me seriozitet nga organet e drejtësisë. Ata shprehen se ndihen të pambrojtur dhe të lënë në harresë, ndërsa ngjarja po kalon pa ndëshkimin e duhur për autorët. Sipas tyre, zhvillimi i seancave gjyqësore në ditë të diel dhe pas orarit zyrtar rrit edhe më shumë dyshimet për ndërhyrje dhe favorizime.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit