Një biznes privat ka zaptuar qendrën e bllokut të banimit, ndërsa institucionet heshtin dhe banorët jetojnë me frikën e përplasjes.
Kjo situatë është kthyer në një stres të përditshëm. As institucionet vendore dhe as policia nuk kanë ndërhyrë, ndonëse janë informuar disa herë përmes telefonatave. Heshtja e tyre na tregon se ndoshta kanë frikë për të vepruar në një zonë që njihet për lidhje me emra të fuqishëm.
Banorët nuk kanë guxim të denoncojnë me emër apo të bëjnë foto.
"Jam një banor i zonës ku ndodhen pallatet e njohura si “Pallatet e Tom Doshit” dhe po ju shkruaj për një shqetësim serioz që na prek të gjithëve."
"Kam lexuar në një artikull tuajin që përmend se në këtë zonë hapësirat publike janë të zëna, dhe dëshiroj t’ju informoj se kjo është krejtësisht e vërtetë. Konkretisht, një subjekt privat ka zënë hapësirën publike në qendër të bllokut të pallateve, duke privuar banorët nga një ambient që duhet t’u shërbejë të gjithëve."
"Ky veprim është i padrejtë dhe dëmton jetesën tonë të përditshme. Ju lutem shumë ta publikoni këtë shqetësim në median tuaj, për të nxitur institucionet përkatëse që të reagojnë dhe ta rikthejnë këtë hapësirë në funksion të komunitetit."
"Ju lutem, publikojeni sepse po na prishin qetësinë si banorë. Policia nuk vjen nga frika se janë “Pallatet e Tom Doshit”."
"Kemi telefonuar sa herë Policinë e Shtetit, por nuk vijnë për të marrë masa."
"Sepse kemi frikë të bëjmë foto, pasi personat në fjalë kanë shumë konflikte me persona në kompleks. Janë konfliktuar disa herë me banorët sepse mbështeten nga policia."
Ajo që duhet të jetë një hapësirë publike, është kthyer në një pronë të përvetësuar, ku ligji nuk zbatohet dhe komuniteti hesht i frikësuar.
Është koha që këto hapësira t’u kthehen banorëve, dhe të mos mbeten peng i ndikimeve politike apo interesave të fshehta. Heshtja institucionale është e pajustifikueshme dhe duhet të marrë fund.