Zjarri i madh përfshin malin pranë fshatit Udënisht

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 14:30

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore mbi fshatin Udënisht, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërhyrë ende për ta vënë nën kontroll situatën.

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë malin mbi fshatin Udënisht në Pogradec, duke rrezikuar jo vetëm florën dhe faunën, por edhe vetë banorët që jetojnë pranë zonës së prekur. Pamjet e shpërndara tregojnë tym të dendur dhe flakë që përhapen me shpejtësi në majë të kodrës.

Banorët e zonës, të shqetësuar nga përmasat që ka marrë zjarri, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

"Po digjet mali i fshatit Udënisht", shprehet denoncuesi pranë redaksisë së JOQ.

Sipas informacioneve paraprake, ende nuk dihet nëse zjarri ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta, ndonjë pakujdesie njerëzore apo është i qëllimshëm. Gjithsesi, mungesa e masave të menjëhershme për përballimin e emergjencës ka shtuar kritikat ndaj strukturave përgjegjëse.

Zjarri ka filluar të përhapet në një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe, duke kërcënuar pemët, tokat bujqësore dhe burimet natyrore të zonës. Përballë këtij rreziku, banorët janë të detyruar të marrin masa vetjake për të mbrojtur pronat e tyre.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga pushteti vendor apo ndonjë strukturë emergjence, ndërsa çdo minutë që kalon e bën më të vështirë kontrollin e situatës. Thirrjet për ndërhyrje po shtohen, por përgjigjja mbetet e munguar.

Në një kohë kur vendi përballet gjithnjë e më shpesh me zjarre gjatë muajve të verës, rasti i Udënishtit nxjerr në pah edhe një herë mangësitë në sistemin e reagimit të shpejtë dhe mungesën e kapaciteteve për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit