Po në Memaliaj a do shkojë Rama? Kioska të reja shtohen në bregun e lumit Vjosa

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.07.2025, 12:43

Në qytetin e vogël të Memaliajt, disa persona po ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në lumin Vjosa duke ndërtuar me beton dhe dru, dhe duke vendosur çadra e shezlongë përgjatë brigjeve të lumit. Këto veprime po kryhen në një zonë që konsiderohet park kombëtar, duke e kthyer një mjedis natyror të mbrojtur në një hapësirë të shfrytëzuar për qëllime private. Ndërtimet pa leje janë realizuar gjatë këtij muaji, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet përkatëse.

"Pershendetje JOQ! Ne qytetin e vogel ne Memaliaj disa persona po mundohen te zaptojne lumin Vjosa duke ndertuar pa leje me beton dhe dru dhe duke zaptuar lumin vjosa me cadra dhe shezllone ju lutemite meren masa se po zaptojn gjith vendin gjoja vjosa park kombetar me beton dru dhe cadra mos u merni me veriun po shikoni dhe jugu. Pushteti ka mbyllur syt dhe nuk i shikon keto gjera. Besoj i mbeshtet bashkia nuk i njof me emra. Jane kryer punime gjate ketij muaji", shkruan qytetari.

Banorët shprehen të shqetësuar për këtë situatë dhe kërkojnë që të merren masa urgjente për të ndalur këtë dëmtim të natyrës. Ata akuzojnë pushtetin lokal dhe bashkinë për mbyllje të syve ndaj këtij problemi, duke ngritur dyshime se ndoshta këto veprime mbështeten në heshtje. Ndërsa vëmendja shpesh fokusohet në problematikat e veriut, jugu duket se po përballet me shkelje të rënda të ligjit dhe mospërfillje ndaj trashëgimisë natyrore.

Lind pyetja nëse kryeministri Rama do të vizitojë Vjosën, ashtu siç bëri në Theth kur u prishën konteinerët e paligjshëm, për të treguar angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së natyrës. A do të ndërhyjë Rama për të prishur kioskat që po zaptojnë këtë pasuri të jashtëzakonshme natyrore? Nëse vëmendja dhe veprimi i njëjtë nuk vijojnë, natyra e Vjosës rrezikon të shkatërrohet pa kthim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit