Lokalet zënë rrugët në Astir, institucionet heshtin

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 11:27

Në Astir, lokalet po pushtojnë trotuaret dhe rrugët, por autoritetet nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për lirimin e hapësirave publike.

Ndërsa në disa pjesë të Tiranës janë ndërmarrë aksione për të liruar hapësirat publike nga lokalet që i kanë zaptuar prej vitesh, situata në zonën e Astirit vazhdon të mbetet e pandryshuar. Pranë barit “Oslo”, një lokal vazhdon të qëndrojë i shtrirë në pjesë të konsiderueshme të trotuarit dhe rrugës, duke bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për këtë zaptim të hapur dhe të pakontrolluar, pasi rruga dhe trotuari janë prona publike dhe nuk mund të përdoren për interes privat. Kalimi është kthyer në sfidë, sidomos për të moshuarit, nënat me karroca fëmijësh dhe personat me aftësi të kufizuara.

Në një kohë kur qyteti i Tiranës pretendon të përmirësojë infrastrukturën dhe lëvizjen urbane, shembuj të tillë si ky në Astir tregojnë mungesën e zbatimit të ligjit dhe indiferencën e institucioneve përballë abuzimeve që kryhen në mes të ditës.

"Përshëndetje JOQ, Në disa zona të Tiranës kanë filluar të hiqen lokalet që kanë zënë hapësirat publike, por në Astir, pranë bar Oslo, ende nuk është bërë asnjë ndërhyrje."

"Ky lokal ka zënë jo vetëm pjesën përpara, por edhe trotuarin dhe rrugën, duke bllokuar kalimin e qytetarëve. Rruga është publike, jo pronë private."

"Nëse mund të bëhet diçka për këtë, do ishte shumë e nevojshme. Faleminderit që jeni zëri i qytetarëve!"

Shumë qytetarë thonë se në lagje të tjera, institucionet kanë ndërhyrë dhe kanë liruar hapësirat publike. Por në këtë rast, duket se dikush po mbyll sytë. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: Pse nuk veprohet edhe këtu?

Apeli i banorëve është i qartë – kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të kthyer trotuarin dhe rrugën në funksion të komunitetit, ashtu siç duhet të jetë në çdo zonë të qytetit.

Qytetarët që denoncojnë këtë situatë kërkojnë që institucionet përkatëse të tregojnë të njëjtin standard zbatimi të ligjit në çdo zonë të Tiranës, pa përjashtime dhe pa favorizime.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit