Shqipëria si eksperiment social i mbijetesës ekonomike, rrogat e ulëta, çmimet më të larta se në BE

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 09:57

Rroga mesatare 770 euro, çmimet më të larta se në BE dhe një ekonomi që duket si laborator vuajtjeje për shqiptarët, nën vështrimin pasiv të gjithë botës.

Shqipëria është kthyer në një laborator eksperimental, ku qytetarët testohen çdo ditë me kufijtë e mbijetesës. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në vend janë 1% më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo, në një vend ku rroga mesatare është vetëm 770 euro dhe rroga minimale nuk i kalon 400 euro.

Në çdo model ekonomik klasik, çmimet varen nga kërkesa. Por në Shqipëri, ku të ardhurat janë 59% më të ulëta se mesatarja e BE-së, një argument i tillë rrëzohet që në nisje. Në një vend të varfër, kërkesa për produkte të shtrenjta nuk mund të jetë arsyeja. Ajo që kemi përballë është një abuzim sistematik me ofertën dhe çmimet.

Fajin nuk e ka konsumatori që kërkon të ushqehet, por një sistem tregu i deformuar, ku importuesit e mëdhenj dhe rrjetet kryesore të supermarketeve diktojnë gjithçka. Dyqanet e vogla, që dikur ishin alternativë për xhepin e qytetarëve, tashmë ndjekin verbërisht çmimet që vendosin të mëdhenjtë. Kemi të bëjmë me një treg të kapur nga oligopoli, ku konkurrenca është vetëm një përrallë institucionale.

Shembujt janë tronditës. Një kile qershi në qendër të Athinës kushton 4 euro. Në qendër të Tiranës, çmimi për të njëjtën sasi shkon në 10 euro. Ky është realiteti i shtrenjtë i Shqipërisë, ku qytetarët nuk paguajnë më për cilësi, por për pasigurinë dhe abuzimin që vjen nga lart.

Autoriteti i Konkurrencës, që duhet të ishte mbrojtësi i tregut të ndershëm, është kthyer në një figurë formale pa fuqi reale. Ai ose nuk ka vullnetin, ose nuk ka kapacitetin të ndërhyjë për të frenuar këtë treg të deformuar. Abuzimi vazhdon, çmimet rriten dhe qytetarët varfërohen.

Zgjidhjet nuk janë të pakta. Ose ndryshohet urgjentisht kuadri ligjor për të ndëshkuar kartelat e heshtura, ose ndërron vetë struktura e institucionit që ka lejuar këtë situatë. Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi ku çmimet rriten pa kontroll, ndërsa paga qëndron në vendnumëro.

Në këtë eksperiment të dhimbshëm social, shqiptarët janë kaviet, ndërsa bota vështron. Të huajt i ndjekin këto zhvillime sikur të ishin spektatorë në një ndeshje futbolli, ku vuajtja e konsumatorit shqiptar është spektakli i përditshëm. Ky nuk është më treg i lirë, por një garë për mbijetesë, ku fitorja është gjithmonë në anën e të fortëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit