Si u fabrikua një skemë milionash në emër të tenderëve publikë me firmë të Belinda Ballukut

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 09:41

Lidhje politike, kompani të klonuara dhe tendera pa garë. Një rrjet i ndërtuar me kujdes për të përthithur miliona euro nga taksat publike, me bekimin e qeverisë.

Kontrata e lidhur më 27 dhjetor 2017 nga AlbControl për rehabilitimin e “Kullës së Kontigjencës”, u firmos nga vetë Belinda Balluku, në atë kohë zëvendëskryeministre, duke anashkaluar ligjet për prokurimin publik. Fituese doli “ALKO-IMPEX General Construction”, kompani e Arbër Abazit, nip i Sadri Abazit – ish-deputet i Partisë Socialiste.

Vetëm në ditën e firmosjes së kontratës, kompania “ALKO-IMPEX General Construction” mori nga Albcontrol një parapagim prej 31.3 milionë lekësh – një veprim që shkel qartazi dokumentet standarde të tenderëve publikë. Pagesa e menjëhershme për 70% të vlerës totale shkon përtej çdo norme të pranueshme administrative.

Kontrolli i Lartë i Shtetit më pas konstatoi mospërputhje të theksuara në zbatimin e kontratës, përfshirë punime jashtë specifikimeve dhe pagesa të paarsyeshme prej mbi 23 mijë eurosh. Në vend që të përballeshin me masa ligjore, shkelësit vijuan aktivitetin pa pengesë.

Ngritja e Ballukut në qeveri, nga drejtore e AlbControlit në ministre e Infrastrukturës, përkoi me shpërthimin ekonomik të “ALKO-IMPEX”. Kompania tjetër e Arbër Abazit – “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” – fitoi tender pas tenderi, shpesh pa garë, me emër të ngjashëm me firmën e parë për të ngatërruar institucionet dhe për të lehtësuar manipulimin.

Në janar 2018, “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” fitoi një tender nga Bashkia Devoll për pastrim, edhe pse kishte status të pezulluar. Ky nuk ishte rast i izoluar. Edhe ministria për Mirëqenie Sociale shpalli të njëjtën kompani fituese për rikonstruksionin e një shkolle, duke skualifikuar ofertat më të ulëta pa shpjegime bindëse.

Në dhjetor 2018, shpërtheu edhe skandali i Unazës së Madhe. Kompania e Abazit trefishoi të ardhurat nga fondet publike brenda një viti, duke u bërë përfituesi kryesor i projekteve infrastrukturore me vlera miliona euro, të dhëna nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) – një institucion në varësi direkte të Ballukut.

Tenderi 14 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në 2022 është vetëm një shembull se si dy kompanitë e Abazit fituan pa asnjë konkurrent dhe në kundërshtim me kërkesat ligjore për kapacitet financiar. ARRSH, nën drejtimin e Evis Berberit, e shpalli tenderin të vlefshëm, ndonëse kompanitë nuk kishin xhiron e kërkuar.

Në vend që të ndalonte këtë abuzim flagrant, shteti heshti. Drejtues të lartë të ARRSH-së dhe institucione të tjera refuzuan të bëjnë kallëzim penal, siç parashikon ligji. Kjo heshtje është nënvizuar edhe nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

Më e rënda është fakti që Arbër Abazi krijoi një kompani të tretë “ECO CLEANING” me firmën “2T” – një tjetër përfituese e rregullt tenderash. Këto kompani garonin kundër njëra-tjetrës në tenderë të ARRSH-së, ndonëse ishin të lidhura mes tyre – një praktikë që shkel Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Në katër raste të ndryshme, këto kompani u paraqitën në tendera si konkurrentë, por me ofertat më afër fondit limit sesa tregut real. Në një rast, ARRSH-ja shpalli fitues bashkimin e kompanive të Abazit, megjithëse “2T” kishte ofertë më të ulët. Një sinjal i qartë se gara ishte thjesht formalitet.

Ankesat nga kompani të tjera, si “Victoria Invest”, janë refuzuar pa argumente të qarta. Madje, Komisioni i Prokurimit Publik veproi në kundërshtim me vendimet e mëparshme për raste të ngjashme, duke favorizuar ALKO-n dhe duke minuar çdo pretendim për konkurrencë të ndershme.

Të gjitha këto tregojnë se një dorë e padukshme – e fuqishme dhe e lidhur ngushtë me pushtetin – ka ndërtuar një skemë të sofistikuar për të zhdukur miliona euro nga buxheti i shtetit. Një sistem që përfiton nga heshtja e institucioneve, lidhjet politike dhe një rrjet i qëndisur për të mbrojtur oligarkinë e tenderëve publikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit