Uji i blerë më i besueshëm se ai i çezmës në Shqipëri, ujësjellësit nuk analizojnë ujin

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 11.07.2025, 09:07

Shumica e ujësjellësve në vend nuk analizojnë ujin që furnizon qytetarët, duke shtuar dyshimet dhe pasigurinë për cilësinë e tij.

Nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ka dalë në pah një problem shqetësues dhe i përsëritur: më shumë se gjysma e shoqërive të ujësjellësve në vend nuk kanë laboratorë funksionalë për të analizuar ujin e pijshëm. Konkretisht, 8 nga 14 shoqëri që u morën në analizë, ose 57%, nuk disponojnë ambiente apo pajisje për të kryer analizat bazë për sigurinë e ujit.

Ky fakt rëndon drejtpërdrejt sigurinë shëndetësore të qytetarëve dhe forcon perceptimin e përhapur se uji i çezmës është i rrezikshëm për konsum. Për pasojë, shumë familje në qytete dhe zona rurale zgjedhin të blejnë ujë në treg, duke përballuar një kosto të panevojshme për një të drejtë themelore siç është furnizimi me ujë të sigurt.

Sipas raportit, vetëm gjashtë qytete – Berati, Elbasani, Korça, Lushnja, Pogradeci dhe Saranda – kanë ambiente laboratorike, ndërsa të tjerat nuk kanë as infrastrukturë minimale për analiza. Për pasojë, qytetarët nuk kanë garanci për cilësinë e ujit që konsumojnë çdo ditë.

Edhe pse sektori i ujit ka kaluar një reformim në dy vitet e fundit, duke bashkuar ndërmarrje më të vogla në një strukturë më të madhe – nga 58 në 14 – problemet me transparencën, cilësinë e shërbimit dhe keqmenaxhimi mbeten shqetësime të thella. Tirana dhe Vora vazhdojnë të mbeten jashtë kësaj reforme.

KLSH evidenton gjithashtu shkelje në procedurat e prokurimit të shërbimeve dhe mallrave nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve. Në disa raste, kriteret teknike për kontraktimin e operatorëve ekonomikë nuk janë përputhur me kërkesat e projekteve, duke futur në rrezik investimet dhe cilësinë e punës së kryer.

Problemet nuk ndalen këtu. Raporti vëren mungesë të theksuar të dokumentacionit teknik për drejtuesit e projekteve, mungesë licencash dhe specifikimesh që ligji i prokurimit i detyron. Në gjashtë raste të analizuar, janë shpallur fitues operatorë që nuk përmbushnin kriteret bazë.

Një tjetër çështje alarmante ka të bëjë me shpronësimet për projektet infrastrukturore, sidomos për projektin e kanalizimeve në zonën e Tiranës së Madhe. Pavarësisht vendimeve gjyqësore për dëmshpërblim, shumë prej tyre nuk janë ekzekutuar, duke sjellë pasoja financiare për buxhetin e shtetit dhe mosrealizim të projekteve.

Vetëm gjatë periudhës 2021-2024, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve përballet me një faturë të papaguar prej 159.9 milionë lekësh, me potencial për të shtuar edhe më shumë kosto për shkak të kamatëvonesave. Një tjetër shumë prej 56.8 milionë lekësh pritet të likuidohet në vijim për vendime gjyqësore që janë në proces.

Në kushtet aktuale, kur qytetarët paguajnë faturat çdo muaj por blejnë ujë të pijshëm në treg për të shmangur rrezikun, besimi tek institucionet që menaxhojnë furnizimin me ujë ka rënë në pikën më të ulët. Mungesa e transparencës, analizave dhe zbatimit të ligjit thellon krizën dhe e bën sistemin e ujësjellësve një prej shembujve më të qartë të mosfunksionimit të institucioneve publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit