Bëmat e Rakip Sulit: 5.4 milionë euro për godinën e re të Bashkisë, vetëm 400 mijë euro për të varfrit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.07.2025, 21:57

Bashkia e Kamzës do të ndërtojë një godinë të re me një kosto marramendëse prej 5.4 milionë eurosh. Kryetari Rakip Suli ka vendosur që ky objekt të ndërtohet në një vend simbolik për komunitetin: në fushën e stadiumit ekzistues të qytetit. Stadiumi, i cili për vite ka qenë hapësira kryesore për sport dhe aktivitet komunitar, do të shembet për t’i hapur rrugë projektit të ri administrativ të bashkisë.

Kjo godinë do të ketë tre kate, një parkim nëntokësor dhe një shesh përpara saj. Ndërkohë, godina aktuale e Bashkisë së Kamzës funksionon normalisht dhe ka mjaftueshëm hapësirë për stafin dhe punën e përditshme. Ndaj lind natyrshëm pyetja: pse duhet një godinë e re me një kosto kaq të lartë, kur ekziston tashmë një ndërtesë funksionale?

Për të shmangur reagimin e opinionit publik, Rakip Suli ka paralajmëruar ndërtimin e një fushe të re sportive në Valias, me një vlerë tjetër të madhe – rreth 2.5 milionë euro me TVSH. Por kjo nuk e justifikon prishjen e një stadiumi ekzistues, që me pak investim mund të rikthehej në funksion për të rinjtë e qytetit. Përkundrazi, të gjitha këto shpenzime për zyra dhe stadiume të reja duken më shumë si plane luksi dhe jo si nevoja reale të komunitetit.

Në kontrast të plotë me këto shifra, Bashkia e Kamzës ka hapur edhe një tender për ndihmën e shtresave në nevojë, me vlerën e vetëm 38 milionë lekëve – rreth 400 mijë euro. Pra, për ndërtimin e zyrave për administratën e tij, Rakip Suli do të shpenzojë mbi 13 herë më shumë sesa për njerëzit që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Godina e re e Bashkisë do të ndërtohet mbi një sipërfaqe prej 13.000 metrash katrorë, ndërsa sipas dokumenteve zyrtare, stadiumi është cilësuar “i amortizuar” për të justifikuar prishjen. Por fakti është se ky ambient u la në harresë qëllimisht prej vitesh, duke i hapur rrugë projektit të sotëm. Një stadium i tërë shkatërrohet, ndërtohet një tjetër në periferi, dhe mbi rrënojat ngrihen zyra të reja për kryebashkiakun dhe vartësit e tij.

Në një qytet ku problematikat sociale janë të shumta, ku shërbimet publike lënë për të dëshiruar dhe ku familjet në nevojë marrin vetëm thërrime, vendimi për të shpenzuar miliona euro për luks administrativ është më shumë se skandaloz. Është një dëshmi e qartë se si pushteti lokal po përdoret për interesa personale dhe për të ndërtuar fasada boshe, ndërsa qytetari i zakonshëm mbetet gjithnjë e më i lënë pas dore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit