Marketi poshtë pallatit pushton trotuarin dhe parkimin në Tiranë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 10.07.2025, 20:25

Banorët ankohen se një market në zonën pranë Spitalit të Fëmijëve ka zaptuar trotuarin dhe parkimin përballë pallatit, duke penguar kalimin dhe lëvizjen e lirë.

Një qytetar nga Tirana ka ngritur shqetësimin për një problem që po zvarritet prej kohësh në lagjen përballë Spitalit të Fëmijëve. Ai denoncon përmes një mesazhi se një market në katin përdhes të pallatit ku banon ka zënë të gjithë sipërfaqen e trotuarit.

Sipas tij, situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi marketi në fjalë ka bllokuar edhe vendin e parkimit përballë ndërtesës. Aty është parkuar një automjet që përdoret si magazinë dhe që nuk është lëvizur asnjëherë nga vendi. Përveç kësaj, përpara dyqanit ndodhet një biçikletë e mbuluar me një copë plastike, e cila po ashtu mbetet aty në mënyrë të përhershme.

"Përshëndetje JOQ, dua të ndaj me ju një problem që kam si banor i lagjes përballë Spitalit të Fëmijëve në Tiranë. Kemi këtë marketin që kemi poshtë pallatit dhe na ka zënë gjithë hapësirën e trotuarit. Përveç kësaj, zë dhe parkingun që është përballë, me këtë makinën që e mban si magazinë dhe njëkohësisht ka dhe këtë biçikletën që e mbulon me këtë copën sipër, dhe nuk i heq asnjëherë që këtu, sepse paguan policinë bashkiake. Ju lutem, publikojeni."

Banori i lagjes thekson se, pavarësisht ankesave të komunitetit, pronari i marketit nuk i largon objektet nga hapësira publike. Ai shpreh dyshimin se kjo ndodh sepse tregtari paguan në mënyrë të vazhdueshme punonjësit e policisë bashkiake për të mbyllur sytë ndaj shkeljeve.

Kjo situatë ka krijuar jo vetëm vështirësi për kalimtarët, por edhe për banorët që nuk gjejnë më hapësira për të parkuar mjetet e tyre. Trotuari që duhej të ishte për lëvizjen e qytetarëve, tani është shndërruar në një depo private mallrash.

Qytetari i revoltuar i kërkon mediave dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate të padrejtë. Ai apelon për reagim urgjent që të lirohet hapësira publike dhe të rikthehet funksioni i saj për komunitetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit