Pusetat e braktisura në lagjen Muradie rrezikojnë shëndetin publik

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 10.07.2025, 16:32

Dy puse uji të pijshëm në qendër të Vlorës janë kthyer në grumbuj mbeturinash pranë shkollës “29 Nëntori”, përballë banesave private

Në zemër të lagjes Muradie në Vlorë, pranë varrezave të Dëshmorëve dhe shumë afër shkollës “29 Nëntori”, dy puse uji të pijshëm po shndërrohen dita-ditës në burim ndotjeje. Dikur të mbuluara me kapakë metalikë, këto puse janë sot të hapura dhe të mbushura me mbeturina.

Pusetat ndodhen përballë dy banesave private në rrugën që të çon drejt qendrës historike të qytetit. Ato janë pjesë e një rrjeti të vjetër furnizimi me ujë të pijshëm, por prej kohësh janë lënë pas dore dhe të ekspozuara ndaj degradimit.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke theksuar se përveç ndotjes vizuale dhe aromës së keqe, pusetat përbëjnë një rrezik real për shëndetin e komunitetit, sidomos për fëmijët që frekuentojnë shkollën aty pranë.

"Ne qendër të Vlorës ‘Vjetër afër varrezave të dëshmorëve pranë shkollës 29 nëntori lagj Muradie përballë dy shtëpive private ndodhen dy poçeta uji të pijshëm që janë dy saracineska që dikur ishin të mbyllura me kapak metalik, sot janë të mbushura me mbeturina! Do mundohem t’ju postoj edhe foton!"

"Këto janë dy poçetat e ujit të pishem! Me besim! Faleminderit! Problemi nuk është personal por publik!" shkruan denoncuesi.

Problemi është thelluar pasi mbetjet urbane hidhen pa kontroll në to, duke e kthyer funksionin e dikurshëm të furnizimit me ujë në një vatër ndotjeje. Kapakët mungojnë dhe askush nuk kujdeset për t’i sistemuar apo për të vendosur sinjalistikë paralajmëruese.

Banorët kanë denoncuar rastin dhe kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet vendore, duke theksuar se situata nuk është thjesht shqetësim individual, por një çështje që prek gjithë komunitetin.

Në një mesazh drejtuar publikut dhe institucioneve, qytetari përfundon me një apel të qartë: “Problemi nuk është personal, por publik!”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit