Produkte ushqimore me myk janë ekspozuar në një market në Sarandë, duke shkaktuar frikë e pasiguri te konsumatorët vendas dhe turistët.
Një qytetar ka denoncuar publikisht praninë e produkteve me myk në një nga supermarketet e frekuentuara në qytetin bregdetar të Sarandës. Ai është shprehur i shqetësuar për kushtet higjieno-sanitare dhe mungesën e kontrollit ndaj ushqimeve që u shiten klientëve.
Në fotot e publikuara duket qartë se disa nga produktet ushqimore të vendosura në frigorifer kanë myk të dukshëm, çka përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Pavarësisht kësaj gjendjeje alarmante, produktet vijonin të qëndronin në rafte, pa asnjë paralajmërim apo masë nga stafi i dyqanit.
Rasti ka ngritur shqetësim te pushuesit që zgjedhin Sarandën për të kaluar pushimet, pasi tregu lokal është burimi kryesor për furnizimin me ushqime. Mungesa e standardeve bazë të sigurisë ushqimore vë në rrezik jo vetëm banorët, por edhe reputacionin turistik të qytetit.
Qytetari që publikoi fotot kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Sipas tij, mungesa e inspektimeve të rregullta lejon shitjen e produkteve të skaduara apo të kontaminuara në tregje dhe markete.
Ky nuk është rasti i parë që markete në zonat turistike raportohen për shkelje të rënda higjienike, por masat që merren shpesh mbeten sipërfaqësore. Shumë herë produktet ndërrrohen pa i dhënë publikut sqarime apo ndëshkime për ata që shkelin ligjin.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje nevojën për një kontroll më rigoroz dhe transparencë më të madhe për sigurinë e ushqimeve që konsumohen nga qytetarët. Në një qytet si Saranda, ku vera sjell mijëra vizitorë, standardet e tregtimit duhet të jenë të padiskutueshme.