Banorët e kompleksit Kontakt, ish Klubi Partizani, janë të shqetësuar për abuzimin me hapësirat publike, ku lokalet kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe pa leje në lulishte. Sipas ankesave të qytetarëve, kjo situatë është përkeqësuar, pasi ato që dikur ishin hapësira të gjelbëruara dhe të lira, tani janë të mbushura me ndërtime dhe objekte të paligjshme. Ky problem është duke u shpërndarë në çdo cep të kompleksit dhe nuk ka pasur masa të dukshme për ta ndaluar.

“Pershendetje JOQ! Duke marre shkas nga nisma e prishjes se ndertimeve ne zenien e hapsirave publike po ju shkruaj si banore e kompleksit Kontakt, Ish Klubi Partizanit. Kur do meren masa ne kete kompleks?! Lokalet nuk kane zene vetem me karrige, por rasti ne foto dhe shume te tjere kane ndertuar ne lulishte. Totalisht ne lulishte. Ju lutem postojeni se vetem nga ju mund te marri drejtim. Jemi ankuar dhe asgje. Lulishtja eshte zene, karriget ne rruge sipas qejfit”, shkruan banori.

Banorët kërkojnë një veprim urgjent nga bashkia Tiranë, IKMT dhe një kontroll nga autoritetet për të rikthyer rendin dhe sigurinë në këtë kompleks. Lokalet po zënë hapësira të gjelbëruara dhe janë shtrirë në rrugë, duke shkaktuar jo vetëm probleme vizuale, por edhe rrezik për kalimtarët. Ata kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për të ndaluar këtë abuzim dhe për të ruajtur hapësirat publike për të gjithë qytetarët.
