Një qytetar ka denoncuar absurditetin e sistemit të gjobave që për 3 javë nuk arrin të reflektohet në sistem, duke e lënë pezull mes pagesës dhe pritjes. Gjoba e vendosur më 15 qershor 2025 nuk është hedhur ende në platformën online, ndërkohë që në e-Albania figuron si gjobë ekzistuese, por e papagueshme. Kur qytetari përpiqet ta paguajë në mënyrë të rregullt, sistemi e refuzon, duke e detyruar të përballet me rrugët e Tiranës, harxhimet e naftës dhe radhët në polici, për një shumë më të vogël sesa shpenzimet që i duhen për ta kryer procesin.
"Pershendetje joq! Kam marre nje gjobe me date 15/06/2025 Po behen gati 3 jave e 3 dite sot qe nuk hidhet ne sistem. Nderkohe ne e-albania rezulton si gjobe shkoj per ta paguar nuk del ne sistem as ne platoformen online. Te shkosh ke rajoni i policise per ta paguar gjysmen 1000 nafte duhet ti harxhosh neper trafikun e Tiranes 1500 leke gjobe 200 leke komision", shkruan qytetari.
Në vend që teknologjia të lehtësojë qytetarin, shteti e çon drejt makinës për të harxhuar më shumë, në vend që ta lërë të zgjidhë gjithçka me një klik. E vetmja gjë që funksionon me përpikmëri është penalizimi, ndërsa kur vjen puna për të paguar në kohë dhe me ulje, sistemi ngec. Një ironi tipike shqiptare: gjoba ekziston për të të dënuar, por zhduket kur do të jesh korrekt.
