Pacientët sjellin ventilatorë nga shtëpia, mungojnë kondicionerët dhe kushtet elementare për trajtim dinjitoz.
Në Spitalin Rajonal të Vlorës, pacientët po përballen me një realitet tronditës: mungesën e plotë të kushteve bazë për trajtim. Në temperaturat e larta të verës, dhomat nuk kanë kondicionerë dhe pacientët detyrohen të sjellin nga shtëpia ventilatorë për të përballuar vapën mbytëse.
Familjarët shprehen të indinjuar me këtë situatë, duke denoncuar se prej ditësh dhomat e spitalit janë të nxehta dhe pa ajrim. “I kam sjellë nga shtëpia” u shpreh një qytetar që kishte të afërm të shtruar në repart.
Mungesa e ajrimit dhe pajisjeve elementare për freskim ka ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin e pacientëve, sidomos për ata në gjendje të rënduar. Personeli mjekësor, ndonëse përpiqet të ndihmojë, ndodhet i kufizuar për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme.
Kjo situatë nuk është e panjohur për qytetarët e Vlorës, të cilët prej vitesh denoncojnë mungesën e investimeve në spitalin rajonal. Megjithatë, çdo verë duket se gjendja përkeqësohet dhe apelit të qytetarëve nuk i jepet përgjigje.
Në kohën kur turizmi në Vlorë rritet ndjeshëm dhe popullsia në qytet shumëfishohet gjatë sezonit veror, spitali duhet të ishte përgatitur për fluksin dhe temperaturat ekstreme. Por realiteti i sotëm tregon të kundërtën: një institucion i rëndësishëm shëndetësor lë në mëshirë të fatit qytetarët.
Apeli i qytetarëve është i qartë: kërkohet ndërhyrje urgjente nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat përgjegjëse për të siguruar kushte dinjitoze në shërbimin spitalor, që është themelor për çdo qytet.