Uji i ndotur në bregdetin e Sarandës ka larguar pushuesit dhe ka krijuar një situatë shqetësuese për turizmin vendas, që po përballet me pasojat e mungesës së ndërhyrjeve për pastrimin.
Në Sarandë, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit jugor, ndotja e detit ka shkaktuar një gjendje alarmante. Pamjet që vijnë nga plazhet tregojnë qartë praninë e mbetjeve dhe ujërave të ndotura, që jo vetëm e kanë prishur estetikën e vijës bregdetare, por kanë penguar edhe qytetarët të lahen.
Pushuesit vendas dhe të huaj shprehen të zhgënjyer. Sipas tyre, uji i ndotur, me mbetje plastike dhe erë të rëndë, ka bërë që shumë prej tyre të ndërpresin qëndrimin në plazh dhe të kërkojnë alternativa të tjera.
Banorët lokalë fajësojnë institucionet për mosreagim. Ata theksojnë se ndotja ka vite që përsëritet, sidomos në muajt e verës, por autoritetet nuk marrin asnjë masë për kanalizimet që derdhen në det apo për pastrimin e rërës.
"Përshëndetje JOQ. Kemi ardhur për pushime në Sarandë, por sot shohim bregdetin në këtë gjendje alarmante. Nuk lahemi dot kur shohim derdhjen e mbetjeve apo ujërave të zeza."
Alarmi ngrihet se ndotja e ujërave detare në Sarandë nuk është më një çështje sezonale, por një problem serioz i vazhdueshëm që kërkon ndërhyrje urgjente. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza është një nga burimet kryesore të ndotjes.
"Mirëmëngjes. Ndotja e detit në Sarandë të lë pa fjalë. Nuk e frekuenton askush për shkak të ndotjes", denoncon një qytetar pranë redaksisë së JOQ.
Operatorët turistikë janë gjithashtu të shqetësuar. Agjencitë raportojnë anulime të rezervimeve dhe ulje të numrit të vizitorëve. Kjo situatë, nëse vazhdon, pritet të sjellë pasoja të mëdha ekonomike për bizneset lokale, që varen kryesisht nga të ardhurat gjatë verës.
Në mungesë të masave konkrete, Saranda rrezikon të humbasë statusin e saj si një nga perlat e bregdetit shqiptar, ndërsa pushuesit do të orientohen drejt zonave më të pastra dhe të mirëmenaxhuara.