Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e kaluar restorantin “Villa Gjeçaj” në fshatin turistik të Thethit, Malësi e Madhe, duke e shkrumbuar totalisht godinën. Restoranti është në pronësi të çiftit Petrit dhe Aida Gjeçaj. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate, ndërsa falë ndërhyrjes së banorëve të zonës u bë e mundur mospërhapja e flakëve në ndërtesat përreth.
Turistët që ndodheshin në bujtinë u evakuuan në kohë dhe sipas pronarëve dëmet janë vetëm materiale por vlera e tyre arrin deri ne 150 mijë euro.
Në një deklaratë për mediat, Aida Gjeçaj theksoi se ekspertët kanë përjashtuar shkëndijën elektrike si shkak të zjarrit. Ajo mohoi të ketë pasur ndonjë konflikt, borxh apo kërcënim dhe hodhi dyshime se djegia mund të ketë lidhje me situatën e tensionuar në Theth, ku aktualisht po zhvillohet një aksion nga IKMT për shembjen e ndërtimeve pa leje.
"E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin. Nuk e di, koeicidenca është e keqe. Thashë nuk kam procedim për prishje sic mund të kenë një pjesë e banorëve sepse s’kam marrë veprime për ndërtime që mund të penalizohesha."
Por djegia e një restoranti në një kohë që shumë bujtina, hotele dhe vila po shemben me urdhër të Edi Ramës ngre disa pikëpyetje të forta pasi çifti Gjeçaj, pronarët e restorantit në fjalë, nuk janë emra të panjohur për publikun.
Petrit Gjeçaj është oficer në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa Aida Gjeçaj ka qenë më herët e ftuar në një podcast me kryeministrin Edi Rama. Këto detaje dhe fakti se restoranti u dogj fill pas aksionit nga IKMT kanë ngritur dyshimet se mund të kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.
Ka dyshime se restoranti mund të jetë djegur qëllimisht për të mbyllur gojët e banorëve të Thethit që prej disa ditësh flenë në qiell të hapur, pasi shteti i ka konsideruar pa leje ndërtimet e tyre, edhe pse i ka reklamuar e promovuar në rrjetet sociale.
Për momentin policia nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për ngjarjen, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit, përfshirë dhe mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme.