Një projekt ndërtimi me afro 90 mijë metra katrorë po e zhyt Vlorën në beton, ngjyra të çoroditura dhe mungesë serioziteti urban
Një nga projektet më të mëdha urbanistike në bregdetin shqiptar po ngrihet në zemër të Vlorës, por në vend që të ofrojë estetikë dhe funksionalitet, ai duket më shumë si një kolazh i ngatërruar arkitekturor. Me emrin "Vlore Beach Urban Development", ky plan ndërtimi i firmës Feniks Konstruksion dhe studios amerikane Oppenheim, po shndërron një nga zonat më delikate të qytetit në një geto shumëngjyrëshe pa harmoni.
I vendosur në një trekëndësh mes qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të re, projekti mbulon një sipërfaqe prej mbi 20 mijë metrash katrorë dhe parashikon afro 90 mijë metra ndërtim të ri, përfshirë disa kulla që theksojnë kontrastin e shëmtuar me përmasat e lagjes përreth.
Në qendër të këtij zhvillimi është ideuar një shëtitore këmbësorësh që lidh bulevardin me vijën bregdetare, por ndërhyrja e thellë në peizazh dhe volumet ndërtimore e kanë shkelur këtë frymë publike. I gjithë kompleksi ngjan më shumë me një strukturë të tejngarkuar, të copëtuar nga ndërtime pa lidhje estetike mes tyre.
Studio Oppenheim pretendon se është frymëzuar nga arkitektura tradicionale shqiptare dhe strukturat spontane të fshatrave, por rezultati përfundimtar nuk përçon asnjë ndjesi autenticiteti. Përkundrazi, përdorimi i ngjyrave të forta dhe kombinimet e çuditshme të formave krijojnë një peizazh që më shumë bezdis sesa frymëzon.
Ndërtesat shumëngjyrëshe janë përqendruar rreth hapësirave të përbashkëta, të cilat janë të rrethuara nga lokale, dyqane dhe kafene, por dendësia e tepërt dhe mungesa e frymëmarrjes urbane i japin zonës ndjesinë e një favele moderne — me më shumë beton, por jo më shumë dinjitet.
Ndërthurja mes kateve të para, ku tregtia dhe banimi mbivendosen, dhe ngritja e tre kullave në zemër të projektit, duket më shumë si një përpjekje për të justifikuar rritjen e lartësisë dhe fitimit, sesa për të krijuar një zhvillim të balancuar dhe estetik.
Edhe pse në pamje të parë ruhet një farë linje dizajni, ndjesia e përgjithshme është e çrregullt dhe sipërfaqësore. Të ashtuquajturat korridore vizuale dhe hapësira të hapura nuk mjaftojnë për të maskuar faktin se ky është një projekt pa identitet.
Sipas autorëve, projekti synon të ndërtojë një pikë ku bashkohen natyra dhe njeriu, trashëgimia dhe moderniteti. Por realiteti flet për një ndërhyrje të rëndë në peizazh dhe një mungesë totale të përmasës kulturore apo ndjeshmërisë urbane.
Mbetet ende e paqartë nëse ky projekt ka marrë lejen për ndërtim, por dihet se është porositur nga kompania Feniks Konstruksion, në pronësi të Ilir dhe Jaho Shytit. Përballë një mungese transparence dhe një qasjeje që shpërfill shijen dhe dinjitetin urban, Vlora rrezikon të humbasë edhe ato pak vlera që i kanë mbetur.