Parlamenti Europian i kërkon Shqipërisë të ndalojë projektet që rrezikojnë mjedisin, përfshirë HEC-in në Skavicë dhe aeroportin në zonën e mbrojtur të Vlorës.
Një tjetër sinjal i fortë vjen nga Parlamenti Europian për qeverinë shqiptare, këtë herë nëpërmjet rezolutës së fundit për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas dokumentit, ruajtja e mjedisit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen ekologjike janë kushte të panegociueshme në rrugën drejt integrimit europian.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, eurodeputetët kërkojnë ndalimin e projekteve që dëmtojnë trashëgiminë natyrore të vendit, duke përmendur konkretisht ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin dhe aeroportin e Vlorës në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Organizatat mjedisore ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për ndikimin shkatërrues të HEC-it të Skavicës. Ky projekt pritet të zhysë në ujë një zonë me biodiversitet të pasur, duke kërcënuar habitatet e shumë specieve të mbrojtura dhe duke pasur pasoja të thella sociale për banorët lokalë.
Edhe pse Shqipëria fitoi vëmendjen ndërkombëtare me shpalljen e Vjosës si park kombëtar, kjo arritje rrezikon të zbehet nga projektet e tjera kontroverse. Parlamenti Europian ka bërë thirrje për tërheqjen e ligjeve të reja që u hapin rrugë ndërtimeve masive në zona të ndjeshme ekologjikisht.
Një tjetër pikë kritike mbetet ndryshimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura. Rezoluta kërkon që ky ligj të kthehet menjëherë pas për të siguruar përputhjen me standardet ekologjike të BE-së dhe për të shmangur ndërtimet me ndikim të lartë negativ mbi natyrën.
Në përmbledhjen e publikuar nga EuroNatur theksohet se autoritetet shqiptare duhet të heqin dorë nga ndërtimi i HEC-it në Skavicë, për të mos rënduar më tej pasojat ekologjike që kanë rënduar mbi lumin Drin, i cili tashmë përballet me sfida të mëdha mjedisore dhe ujore.
Në të njëjtën linjë, drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer, theksoi se mbrojtja e mjedisit është një test real për angazhimin e qeverisë shqiptare ndaj integrimit europian. “Nuk mund të ketë anëtarësim pa respekt për natyrën”, tha ai.
Sipas Schwaderer, ndërtimi i aeroportit në Vjosë-Nartë dhe hidrocentrali në Skavicë janë dëshmi e një modeli zhvillimi të gabuar, që i jep përparësi fitimit afatshkurtër ndaj pasurive të përhershme natyrore.
Parlamenti Europian thekson se zhvillimi i vendit duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm, duke mos sakrifikuar trashëgiminë natyrore për projekte që dëmtojnë mjedisin dhe komunitetet lokale.
Me këtë rezolutë, BE e bën të qartë se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm një rekomandim, por një detyrim i domosdoshëm për çdo vend që aspiron anëtarësimin në union. Shqipëria ndodhet tashmë përballë një prove vendimtare në këtë drejtim.
Nëse projekti i Skavicës do të ecë përpara, Drini mund të përballet me një të ardhme edhe më të zymtë, duke humbur përfundimisht karakterin e tij natyror dhe duke u kthyer në simbolin e një zhvillimi që injoron natyrën.