Dështimi i mbikëqyrjes së kopshteve në Durrës, zbardhet dosja e plotë e skandalit të subjekteve të palicensuara

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 10.07.2025, 09:50

Prokuroria e Durrësit ka marrë të pandehur drejtorin rajonal Hazbi Lika, pasi lejoi funksionimin e 28 kopshteve private pa licensë, duke shpërfillur detyrimet ligjore për kontroll e inspektim.

Një hetim i thelluar nga Prokuroria e Durrësit ka zbuluar një skandal institucional në sektorin e arsimit parauniversitar. Drejtori rajonal, Hazbi Lika, akuzohet se ka lejuar në heshtje funksionimin e dhjetëra kopshteve private të palicensuara, në kundërshtim me ligjin dhe detyrën që i është ngarkuar.

Shkak për nisjen e hetimeve u bë një rast i rëndë dhune ndaj një vajze 3-vjeçare në një kopsht privat pa licensë në Tiranë, në nëntor 2023. Ky incident çoi në organizimin e një operacioni kombëtar për identifikimin e institucioneve të arsimit parashkollor që vepronin në kundërshtim me ligjin.

Vetëm në qytetin e Durrësit, nga data 13 deri më 16 nëntor të vitit 2023, policia konstatoi 28 kopshte që operonin pa leje. Prokuroria nisi hetimet ndaj përgjegjësve, përfshirë edhe zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, të cilët duhej të kishin mbikëqyrur aktivitetin e këtyre institucioneve.

Pas më shumë se një viti hetimesh, më 26 qershor 2025, drejtori Hazbi Lika u mor i pandehur për shpërdorim detyre. Vetëm pak ditë më vonë, Gjykata e Durrësit miratoi pezullimin e tij nga detyra, duke e lënë jashtë funksioneve publike në pritje të gjykimit.

Dosja penale tregon se Lika kishte urdhëruar kontroll mbi kopshtet private që në janar 2022. Por në atë verifikim ishin konstatuar vetëm 2 subjekte pa licensë — një shifër që bie në kontrast të thellë me rezultatet e operacionit policor të nëntorit 2023.

Sipas prokurorisë, Drejtoria Rajonale nuk kreu asnjë inspektim në institucionet që më vonë rezultuan të palicensuara. Kjo mungesë totale e mbikëqyrjes ngriti dyshime serioze për neglizhencë të qëllimshme ose përfshirje në tolerimin e aktivitetit të paligjshëm.

Në dëshminë e tij, Hazbi Lika justifikoi mungesën e inspektimeve me mungesë informacioni dhe burimesh. Ai pranoi se urdhërat për kontrolle jepeshin vetëm pas njoftimeve zyrtare ose rasteve të bëra publike nga mediat apo bashkitë.

Sipas tij, inspektorët nuk mund të mbulonin të gjitha subjektet private pa një sinjal konkret. Por hetimet treguan se shumë nga kopshtet e konstatuara pa licensë nuk ishin kontrolluar asnjëherë, as në bazë të raportimeve dhe as me iniciativë të strukturës drejtuese.

Prokuroria intervistoi edhe administratorë të këtyre institucioneve arsimore, të cilët deklaruan se nuk kishin pasur ndonjëherë kontakt me inspektorët, pavarësisht se vepronin në shkelje të ligjit për një kohë të gjatë.

Pjesë nga dosja gjygjësore kundër Hazbi Likës, burimi Gjykata Durrës/Boldnews

Në përfundim të hetimeve, prokuroria e Durrësit konkludoi se Hazbi Lika kishte shmangur qëllimisht detyrimet e tij ligjore, duke dëmtuar rëndë interesin publik dhe sigurinë e fëmijëve që frekuentonin kopshtet në fjalë.

Për shkak të rrezikut të vijimit të shkeljeve nga ana e tij, autoritetet kërkuan pezullimin e menjëhershëm të Likës nga funksioni që mbante. Gjykata e miratoi kërkesën, duke i hapur rrugë procesit penal që pritet të ndjekë.

Kjo ngjarje ngre shqetësime të mëdha për nivelin e përgjegjësisë institucionale në sistemin arsimor dhe nevojën për kontrolle më të rrepta e të pavarura. Ndërkohë, fëmijët dhe prindërit mbeten viktimat e para të një sistemi që, në vend të garancisë, ka ofruar shpërfillje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit