Vrasja e 23-vjeçarit/ Autorët dyshohet se ishin veshur si policë, i bënë pritë në rrugë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.07.2025, 09:58

Detaje të reja janë zbardhur rreth ngjarjes së rëndë që tronditi Matin dhe jo vetëm pasi 23-vjeçari Renis Dobra u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit.

Sipas burimeve hetimore, dyshohet se i riu është rrëmbyer nga persona të armatosur, të cilët më parë i kanë zënë pritë makinës së tij, duke u prezantuar si efektivë policie. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një segment rrugor pranë zonës së Shkopetit, ku autorët i kanë bërë me shenjë Dobras të ndalojë.

Në ato momente, një automjet tjetër që po kalonte rastësisht është afruar për të pyetur nëse kishte ndonjë problem, por persona e armatosur e kanë urdhëruar të largohet menjëherë. Menjëherë më pas, një ose disa prej tyre janë futur në mjetin e 23-vjeçarit, duke e marrë me pretendimin se do ta “shoqëronin në komisariat”.

Ata dyshohet se e kanë mbytur të riun me litar, pasi kishte shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në qafë, dhe më pas e kanë lënë në breg të liqenit.

Familjarët e viktimës mohojnë çdo konflikt të mundshëm që mund të çonte në këtë ngjarje. Babai i të ndjerit, në një deklaratë jashtë kamere, apeloi që policia të përdorë kamerat e sigurisë në rrugën nacionale, që sipas tij janë të mjaftueshme për të identifikuar autorët. Edhe daja i babait të viktimës ka kërkuar që autoritetet të zbardhin plotësisht këtë akt kriminal, duke theksuar se familja është në gjendje shoku dhe kërkon vetëm të vërtetën.

Grupi hetimor vijon hetimet në dy pista kryesore: një konflikt i mundshëm për shkak të parcelave me bimë narkotike dhe një pistë tjetër që lidhet me lidhje sentimentale apo motive xhelozie.

Policia dhe Prokuroria e Matit ende nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet raporti i Mjekësisë Ligjore, që do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit