Çmimi i ulët i qumështit dhe pasiguritë ekonomike po shtyjnë fermerët e rinj të heqin dorë nga blegtoria dhe të kërkojnë një jetë jashtë vendit.
Në vitin 2024, blegtoria shqiptare ka shënuar një tjetër rënie të ndjeshme, duke reflektuar thellimin e krizës së besimit tek fermerët për të investuar në këtë sektor. Sasia e qumështit të grumbulluar në vend ra me 6.6% krahasuar me vitin paraardhës, duke zbritur në vetëm 95 mijë tonë nga 101 mijë tonë që u grumbulluan në vitin 2023.
Fermerët përballen me çmime gjithnjë e më të ulëta për litrin e qumështit, gjë që i ka lënë të pambuluara edhe shpenzimet minimale të ushqimit të bagëtive. Kjo situatë po ushqen pasigurinë dhe mosbesimin ndaj shtetit, duke e bërë blegtorinë një sektor gjithnjë e më të braktisur, sidomos nga të rinjtë.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT-i tregojnë se rënia ka prekur të gjitha llojet e qumështit. Qumështi i lopës, që zë pjesën më të madhe të totalit, u ul me 6.5%, duke arritur në 75 mijë tonë. Qumështi i deles ra me 9.7%, ndërsa ai i dhisë me 3.1%. Të rinjtë që trashëgojnë ferma familjare gjithnjë e më shpesh zgjedhin emigrimin, jo vetëm për një jetë më të mirë, por për të shmangur rriskun ekonomik që sjell blegtoria sot.

Sasia e qumështit të grumbulluar, burimi: Instat, Monitor
Nga e gjithë sasia e grumbulluar, vetëm 12 mijë tonë u përdorën për konsum të drejtpërdrejtë, pjesa tjetër u përpunua. Prodhimi i djathit gjithashtu ra me 9.9%, duke zbritur në 10,487 tonë. Djathi nga qumështi i lopës pësoi një ulje të ngjashme, ndërsa ai nga dhia ra me 16.8%, një tregues shqetësues për qëndrueshmërinë e prodhimit artizanal dhe tradicional në zonat malore.
Edhe për produktet e tjera të bulmetit, situata mbetet problematike. Gjalpi i prodhuar në 2024 ishte 657 tonë, ku mbi 96% e tij ishte prodhim tradicional. Por mungesa e mbështetjes, kostot e larta dhe mungesa e tregjeve të garantuara po i zbehin perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Megjithëse numri i përgjithshëm i gjedhëve ka shënuar një rritje të lehtë prej 3.4%, numri i lopëve është ulur me 3.5%, duke treguar se shtimi i krerëve nuk përkthehet në rritje prodhimi, pasi bagëtitë që mbahen janë shpesh pa vlerë ekonomike. Në të njëjtën kohë, numri i deleve dhe dhive ka rënë përkatësisht me 3.8% dhe 3.9%.
Rënia është veçanërisht e ndjeshme edhe në sektorin e derrave dhe shpendëve. Numri i derrave ra me 9.6% dhe i dosave me 9%. Edhe shpendët kanë rënë me 0.5%, ndërsa vetëm bletaria ka shënuar rritje, me një shtim prej 13.1% të koshereve. Kjo tregon zhvendosjen graduale të interesit nga blegtoria intensive drejt aktiviteteve më të vogla, me kosto më të ulët dhe rrezik më të menaxhueshëm.
Kjo situatë e rënduar nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të mungesës së politikave të qëndrueshme bujqësore. Fermerët nuk ndihen të mbështetur dhe shohin se mundi i tyre nuk shpërblehet. Për ta, zgjidhja nuk vjen më nga shteti, por nga rrugët drejt emigracionit. Aty ku shpresa për një jetë më të mirë dhe më të qëndrueshme nuk është më një iluzion, por një realitet më i arritshëm se kurrë.