Rritja e largimeve nga vendi, rënia e lindjeve dhe pensionet e ulëta po e çojnë Shqipërinë drejt një krize sociale e demografike të thelluar.
Trendet demografike në Shqipëri po përkeqësohen ndjeshëm, me vendin që po përballet me një plakje masive të popullsisë. Shkaku kryesor i kësaj krize është emigrimi i pandërprerë i të rinjve, të cilët e shohin largimin si zgjidhjen e vetme për një jetë më të mirë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it për vitin 2024, grupmosha mbi 60 vjeç përfaqëson tashmë 30% të popullsisë totale, duke arritur në mbi 691 mijë persona. Vetëm një vit më parë kjo shifër ishte 28.15%. Në vitin 2011, të moshuarit përbënin vetëm 15% të popullsisë. Rritja është dyfishuar në më pak se 15 vjet.
Ndërkohë, popullsia e përgjithshme është tkurrur me mbi 27 mijë banorë brenda një viti. Kjo rënie nuk është vetëm rezultat i natalitetit të ulët, por vjen kryesisht nga vala e re e emigracionit, e përqendruar në grupmoshën 0-29 vjeç, e cila është tkurrur me 30 mijë persona. Kjo përbën mbi 4% humbje në vetëm një vit.
Rënia e lindjeve ka një shkak të thellë ekonomik: pagat e ulëta dhe politikat e ashpra fiskale nuk krijojnë kushte për të rritur një fëmijë. Shumë çifte të reja nuk e shohin të arsyeshme të sjellin në jetë fëmijë kur të ardhurat nuk mbulojnë as nevojat bazë. Mungesa e ndihmës shtetërore për familjet e reja thellon krizën.
Ndërsa të rinjtë largohen, të moshuarit mbeten në vend, por jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Pjesa më e madhe mbijetojnë me pensione minimale, shumë poshtë kufirit të mbijetesës. Kujdesi shëndetësor dhe mbështetja sociale janë të pamjaftueshme për këtë kategori që rritet nga viti në vit.
Pa ndihmën e remitancave, shumë familje në Shqipëri nuk do të mund të përballonin jetesën. Vetë qytetarët pranojnë se pa paratë e dërguara nga emigrantët, vendi do të përballej me një skenar të zymtë ekonomik që nuk i shërben askujt.
Në grupmoshat 65–69 vjeç dhe 75–79 vjeç, INSTAT-i vëren një shtesë respektive prej mbi 5,800 dhe 7,300 personash në vitin 2024. Edhe numri i qytetarëve mbi 85 vjeç është rritur me mbi 3 mijë brenda një viti, një tregues i qartë i rritjes së jetëgjatësisë, por edhe i mungesës së rigjenerimit natyral të popullsisë.
Në këtë situatë, ekspertët ngrenë alarmin se Shqipëria rrezikon të mos jetë më në gjendje të mbajë financiarisht sistemin e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor. Numri i kontribuesve po bie, ndërsa ai i përfituesve rritet. Ky raport është i paqëndrueshëm dhe po afron kolapsin.
Zgjidhjet nuk mungojnë, por kërkojnë vullnet politik dhe orientim strategjik. Mbështetja për familjet e reja, kthimi i emigrantëve përmes politikave stimuluese dhe investimi në teknologji për kujdesin ndaj të moshuarve janë disa nga alternativat e përmendura.
Shqipëria po kalon një tranzicion të rrezikshëm demografik, nga një vend i ri e i varfër në një shoqëri të plakur e të varfër. Pa masa urgjente dhe politika kombëtare në funksion të popullatës, rrezikohet një krizë me pasoja afatgjata në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.