Pas afro 48 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali, i cili u mbyt në përpjekje për të shpëtuar dy turistë izraelitë në liqenin e Shkodrës.
Operacioni i kërkimit, që vijoi pa ndërprerje për tre ditë me radhë, u intensifikua në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe rreth orës 05:00 trupi i 51-vjeçarit u lokalizua dhe u nxor nga uji.
Ngjarja ndodhi kur dy turistët izraelitë, që ndodheshin në një tur liqenor, u futën për të notuar, por për shkak të rrymave të forta, hasën vështirësi dhe rrezikuan të mbyteshin. Pasi i pa në rrezik, kapiteni Anamali nuk hezitoi të hidhej në ujë për t’i ndihmuar. Ai arriti t’i shtyjë drejt varkës dhe t’i shpëtojë, por vetë nuk mundi të dalë më në breg.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se kapiteni mund të ketë pësuar komplikacione shëndetësore për shkak të lodhjes ekstreme, çka ka çuar në mbytjen e tij.
Arben Anamali ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe prej një viti punonte si kapiten i anijeve turistike në liqenin e Shkodrës, në një nga linjat në pronësi të Bashkisë.