Në vend të pushimeve të qeta buzë detit, pushuesit në zonën turistike të Malit të Robit, zgjohen çdo mëngjes nga zhurmat e çekiçëve dhe fadromave që nisin punën pa u zbardhur mirë dita.
Një pushuese e një prej hoteleve të kësaj zone ka denoncuar këtë problematikë ku punimet vijojnë çdo ditë pa respektuar as oraret, as sezonin turistik dhe duke kthyer pushimet në një përvojë stresuese.
"Ora 4:30 e mëngjesit. Pushime në bregdet, me soundtrack hilti dhe çekiç. Pastaj thonë: “Pse ankoheni?” Sepse kemi ardhur për pushime, jo për turnin e parë në kantier. Jemi te Mali Robit rruga Skenderbeg".
Sipas rregulloreve të zbatueshme për zonat turistike, punimet ndërtimore në sezonin e verës duhet të pezullohen ose të kryhen vetëm në orare të kufizuara, për të garantuar qetësinë e vizitorëve dhe imazhin e zonës si destinacion turistik.
Megjithatë, në rastin e Malit të Robit, duket se mungesa e kontrollit nga autoritetet lokale dhe institucionet përgjegjëse ka lejuar vazhdimin e ndërtimeve edhe në orare të ndaluara.
Pushuesit i bëjnë thirrje Bashkisë së Kavajës dhe Inspektoratit të Ndërtimit që të marrin masa për ndalimin e zhurmave dhe ndërtimeve në mes të sezonit turistik, duke kërkuar respektim të ligjit dhe të të drejtës për pushim në qetësi.