Rrahu për vdekje 80-vjeçarin që s’i dha birra, Ilir Nukaj do të bëjë vetëm 8 vjet burg!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.07.2025, 23:00

Një ngjarje e rëndë u shënua në Fier në tetor të vitit 2024, ku një 80-vjeçar humbi jetën pasi u dhunua barbarisht, vetëm pse refuzoi t’i shiste birra një personi me precedent penal.

Sot, gjykata ka shpallur vendimin për autorin e krimit, Ilir Nukaj, i cili u dënua me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 8 vite.

Ngjarja ndodhi në fshatin Povelçë, pranë dyqanit të vogël që 80-vjeçari Namik Rustemi kishte në pronësi.

Ilir Nukaj, 47 vjeç, i njohur edhe me emrin Ledjan, kishte shkuar për të kërkuar birra, por i moshuari e kishte refuzuar duke njohur të kaluarën kriminale të tij.

Refuzimi shkaktoi një shpërthim dhune: Nukaj e goditi me grushte në kokë të moshuarin, ndërsa më pas sulmoi edhe bashkëshorten e tij 77-vjeçare. Goditjet rezultuan fatale për Namik Rustemin, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve.

Autori rezulton i dënuar më parë me 10 vite burg për tentativë vrasjeje, çka shton edhe më shumë revoltën për vendimin e gjykatës.

Raportohet se në momentin që u dha vendimi, mbesa e viktimës në shenjë proteste ka thyer xhamin e derës kryesore të gjykatës, duke shprehur zhgënjimin për një dënim që sipas saj nuk i përgjigjet as dhimbjes, as drejtësisë.

Një jetë e humbur, një krim për motive absurde, dhe një tjetër vendim që ngjall zemërim publik. A është kjo drejtësia që pret shoqëria shqiptare?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit