Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë nga aeroporti Malpensa në Milano, ku Wizz Air ka shkaktuar zemërim te disa pasagjerë për shkak të një veprimi të papranueshëm që kompania ajrore ka bërë në dëm tyre.
Sipas qytetares që ka dërguar denoncimin, kompania ka shitur mbi 20 bileta më shumë sesa kapaciteti i avionit, duke bërë që disa pasagjerë, përfshirë familje me fëmijë të vegjël, të mos lejohen të hipin në fluturim.
“E kemi prerë biletën para dy muajsh, dhe sot na thonë që s’ka më vende! Jemi me fëmijë të vegjël, askush nuk na jep sqarim. Çfarë kompanie është kjo?!” – shkruan qytetarja e revoltuar.
Kjo situatë është një shkelje flagrante e të drejtave të udhëtarëve, dhe shton edhe një rast tjetër të mbishitjes së biletave nga kompani ajrore që vendosin fitimin përpara njerëzve.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse shqiptare dhe italiane, si dhe vetë kompanisë Wizz Air, të japë menjëherë sqarime dhe të mbajë përgjegjësi për këtë sjellje të papërgjegjshme dhe të padrejtë ndaj pasagjerëve!
Kjo nuk është hera e parë që Wizz Air përballet me akuza për mbishitje të biletave, duke lënë qindra pasagjerë nëpër aeroporte pa asnjë zgjidhje konkrete apo ndjesë publike.