Puseta e hapur që turpëron imazhin e Tiranës turistike

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 19:43

Prej më shumë se 20 ditësh, një pusetë e ujërave të zeza në rrugën “Fadil Deliu”, pranë Bunk’Art, lëshon erë të rëndë e ndot ambientin, por institucionet heshtin.

Një ndotje e pandalshme dhe mungesë totale e reagimit institucional po dëshmon sesi neglizhenca kthehet në turp kombëtar, sidomos përballë vizitorëve të huaj. Në rrugën “Fadil Deliu”, ngjitur me destinacionin e njohur turistik Bunk’Art në Tiranë, një pusetë e ujërave të zeza qëndron e hapur prej më shumë se 20 ditësh.

Situata është e përkeqësuar nga fluksi i lartë i turistëve që kalojnë aty çdo ditë. Erërat e rënda dhe ndotja vizuale e ambientit janë kthyer në përjetime të pakëndshme për këdo që kalon, duke lënë një përshtypje të zymtë për Shqipërinë.

Banorët dhe bizneset përreth kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme, por pa asnjë rezultat. Ata thonë se i janë drejtuar Ujësjellësit dhe institucioneve të tjera përkatëse, por kanë hasur vetëm në heshtje, madje edhe në shpërfillje.

“Na kanë bërë edhe bllok,” shprehet denoncuesi i irrituar. Denoncuesi thekson se ky nuk është vetëm problem i përditshëm higjienik, por edhe një dëm i drejtpërdrejtë për imazhin turistik të kryeqytetit.

Ironia qëndron në faktin se, në vend që të përmirësohet përvoja e turistëve, ata përballen me aromën më të pakëndshme që mund të përfaqësojë një vend me aspirata turistike si Shqipëria.

"U bënë 20 ditë, ndoshta edhe më shumë, që ka plasur kjo pusetë e ujërave të zeza, te rruga Fadil Deliu, ngjitur me Bunk'Art-in, ku kalojnë shumë turistë. Vjen një erë shumë e keqe, një pisllëk i tmerrshëm dhe asnjë nga institucionet përkatëse nuk mban përgjegjësi."

"Ky është turizmi. Po i sjellim këtu turistët që të “ajrosen” mirë. Kemi lajmëruar Ujësjellësin dhe asnjë nga institucionet nuk merr masa, madje na kanë bërë edhe bllok. Jemi zonë turistësh këtu, të cilët kalojnë dhe ikin me aromën “më të mirë” të Shqipërisë sonë të dashur," shprehet denoncuesi në videon që i ka dërguar redaksisë së JOQ.

Ky rast është simbol i një problematike më të gjerë që përfshin mungesën e ndërhyrjes së menjëhershme nga institucionet për problemet më bazike. Nëse nuk trajtohen urgjentisht situata të tilla, Shqipëria do të vazhdojë të përballet me paradoksin e promovimit turistik përmes realitetit të papastërtisë dhe neglizhencës.

Në mungesë të përgjegjësisë, mbetet vetëm zëri i qytetarëve dhe shpresa se dikush më në fund do të reagojë për të mbyllur një pusetë që është kthyer në simbol të turpit urban.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit