Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një gazetare e MCN TV, e cila rrëfen realitetin e dhimbshëm të punonjësve të këtij televizioni, duke deklaruar se kanë 6 muaj pa marrë asnjë rrogë!
MCN TV, një media private në pronësi të Endri Meksit, djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, po përballet me akuza serioze për mosrespektim të të drejtave minimale të punonjësve, të cilët janë detyruar të punojnë pa marrë hakun e tyre që prej muajit janar.
Në mesazhin e mbërritur në redaksinë tonë, ndër të tjera thuhet:
“Punojmë çdo ditë me përkushtim, por nuk na trajtojnë me dinjitet. Kemi kërkuar zgjidhje në mënyrë të qetë, por pa sukses. Tani jemi lodhur. Kemi 6 muaj pa marrë rrogën!”
Gazetarja shpreh zhgënjimin e thellë ndaj mënyrës sesi janë trajtuar nga drejtuesit e MCN.
“Sikur po i kërkojmë borxh, jo djersën tonë të përditshme. Na pret me bezdi. Nuk ka më as minimumin e respektit për ne”, – thotë ajo me zhgënjim.
Punonjësit kanë kërkuar ndihmë edhe tek Inspektorati i Punës, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje, asnjë kontroll dhe asnjë ndërhyrje. Askush nuk po mban përgjegjësi. Të gjithë “lajnë duart”, ndërsa gazetarët e rinj dhe studentët mbesin pa asnjë mbështetje e të papaguar.
“Televizionet e tjera kërkojnë eksperiencë, por unë s’kam dokument që ta vërtetoj përvojën time. Kush do të na dëgjojë neve që jemi lodhur nga padrejtësitë?”, – përfundon ajo.


