Plazhi publik në Karpen bllokohet nga një resort privat, qytetarët të indinjuar

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 18:43

Në rrugën që të çon drejt bregdetit publik në Karpen, një resort vijon të hapë gropa për të penguar lëvizjen e lirë të pushuesve dhe për t’i detyruar të kalojnë nga kampingu i tij.

Një qytetar nga Tirana, i cili prej katër vitesh frekuenton plazhin e Karpenit, ka denoncuar një situatë shqetësuese që po përsëritet çdo sezon. Sipas tij, pronari i një resorti në zonë, në mënyrë të përsëritur, hap gropa në rrugën që të çon në pjesën publike të plazhit.

Rruga, e cila është e paasfaltuar dhe përdoret prej shumë qytetarëve, është bllokuar sërish këtë vit. Qëllimi, sipas denoncimit, është i qartë: t’u mohohet qytetarëve hyrja nga rruga publike dhe t’i detyrojnë të kalojnë nga kampingu privat që administrohet nga pronari i resortit.

Pavarësisht përpjekjeve të pushuesve për të rregulluar situatën, duke mbushur përkohësisht gropën me materiale inerte, ajo rihapet rregullisht. Punëtorë të thjeshtë të resortit urdhërohen të çojnë makineri ose mjete pune dhe ta çojnë rrugën sërish në gjendje të pakalueshme.

Qytetarët që ndjekin këtë rrugë për të shkuar në bregdetin publik ndihen të diskriminuar dhe të dhunuar në të drejtën e tyre për qasje të lirë në territor. Disa prej tyre kanë dokumentuar situatën me fotografi dhe video, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet.

Deri më tani, askush nga autoritetet vendore nuk ka reaguar për këtë rast. Ndonëse ndalimi i aksesit në plazhin publik bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, abuzimi vijon pa pasoja për pronarin që vepron në mënyrë të përsëritur.

"Përshëndetje JOQ! Jam një qytetar nga Tirana që shkoj tashmë prej 4 vitesh në plazhin e Karpenit. Këtë vit, pronari i një prej resorteve, për të disatën herë radhazi, hap gropë në rrugë për të bllokuar kalimin për në plazhin publik në një rrugë jo të asfaltuar, me qëllim që njerëzit detyrimisht të kalojnë te kampingu i tyre."

"Pavarësisht se persona të ndryshëm herë pas here mundohen ta mbyllin gropën me materiale inerte rrethanore, pronari në fjalë e rihap me anë të punëtorëve të thjeshtë."

Rasti i Karpenit është një nga shumë shembuj ku interesat private tentojnë të përvetësojnë hapësira që u përkasin të gjithëve. Qytetarët i bëjnë thirrje Bashkisë Kavajë dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë pa vonesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit