Banorët e zonës së Astirit, veçanërisht në rrugën Loni Ligori, po përballen çdo ditë me pengesa të qëllimshme në rrugë. Goma, bidona, kona të kuq dhe objekte të tjera vendosen qëllimisht për të bllokuar kalimin, duke e kthyer hapësirën publike në prona të përvetësuara në mënyrë abuzive. Kjo situatë nuk është e kufizuar vetëm në një segment, por përfshin thuajse gjithë zonën e Astirit.

“Pershendtje JOQ! Ketu jemi ne Astir te rruga Loni Ligori, po kjo eshte vetem nje pjese, gjithe Astiri eshte ne kete gjendje, zene rruget me goma bidona, kona te kuq dhe gjithçka qe mundet vetem per t’i bllokuar dhe per t’i pervetesuar, po te shkosh ti heqesh keto zihesh me personat qe i kane zaptuar”, shkruan qytetari.

Çdo përpjekje për të hequr këto pengesa përfundon me përplasje me personat që i kanë vendosur, të cilët reagojnë ashpër dhe agresivisht. Banorët ndihen të pafuqishëm përballë kësaj anarkie urbane, ndërsa autoritetet mungojnë në zbatimin e ligjit dhe rivendosjen e rendit në rrugë që i përkasin të gjithëve.